Vjosa Pacuku: “Vajza dhe gra, mos neglizhoni bukurinë!”

Vjosa Pacuku, shqiptarja me karrierë në Nju Jork

Është një nga emrat më të mëdhenj në fushën e estetikës dhe jo më kot. Vjosa Pacuku e ka merituar këtë vlerësim dhe dashuri në këto 14 vite të karrierës së saj. Vjosa, kosovarja që ka emigruar në Amerikë 20 vite më parë, më 1999, është në tregun e make up-it me një biznes tjetër duke iu përgjigjur kështu kërkesave të vazhdueshme të atyre ndjekësve që aq shumë ndikohen nga arti i saj. E qartë në atë cfarë kërkon të arrijë në të ardhmen, me dëshirën për të mësuar, këshilluar apo inspiruar vajzat shqiptare, Vjosa do të rikthehet në Shqipëri me 20 Prill në Adriatik Hotel, Durrës për një Master Class.

 Vjosa, përshëndetje. Nga komunikimet në rrjetet sociale shohim se kemi të bëjmë jo vetëm me një make- up artiste të talentuar, por edhe një bashkatdhetare e mirë, që emrin e Shqipërisë e keni lartësuar në Amerikën e shumëkërkuar nga të gjithë.

-Faleminderit për fjalët e ëmbla, kjo është kënaqësi për mua. E meriton Shqipëria se e ka natyrën e bukur natyrale por edhe njerëzit janë shumë të mirëpritur.

Si është të jetosh mes Amerikës e mallit për Shqipërinë?

–  Unë në fakt Shqipërinë e dua shumë dhe më mungon sepse kam shumë kujtime të bukura prej fëmijërisë. Gjyshi (babi i mamit) kishte një vilë në Durrës dhe kam kaluar disa vite gjatë verës me të, ato kujtime më mungojnë më së shumti. Dhe treleçja… Hahaha.

Kush është personi i parë që ke grimuar?

–  Shoqet e shkollës të mesme për maturat.

Po i fundit?

–  Celebrity Sandra Lee @drpimplepopper

Keni klientë të preferuar?

–  Klientet që kanë 100% besim në duart e mia dhe nuk duan të shohin veten deri në fund të grimit, këto janë klientet më të preferuar.

Kush është personi më i vështirë për t’u grimuar?

–  Personat që lëvizin shumë gjatë procesit të grimit.

Ka dy teori: njëra që thotë se vajzat duhet të dalin (ujë dhe sapun) në rrugë pa grim ose me fare pak dhe një tjetër që duhet të bëjnë çfarë ke dëshirë.

–  Mua më pëlqejnë të dytët dhe e mbështes këtë teori pafund, vajzat duhet të bëjnë çka ju do zemra.

A ka limit grimi?

–  Jo, secili njeri mund të bëjë atë që ata ndjehen më së miri.

Sa dallon personi para dhe pas grimit?

–  Nëse grimi është i duhur për një person, ai person mund të duket shumë bukur pas grimit. Por unë kam parë vajza që duken më bukur pa grim nëse e kanë pasur grimin jo të mirë ose të duhur për fytyrën e saj.

A keni zili grimierë të tjerë?

–  Jo

Kur shikoni VIP në televizion a mendoni: Ah sikur të ishte klient i imi?

–  Po, Dua Lipa dhe Jlo.

Më në fund rishfaqesh në Durrës e Tiranë pasi prej disa vitesh jeton në Amerikë.

–  Arsyeja ime që u riktheva në Shqipëri është Makeup Maksterklas që do ta mbaj në Adriatik Hotel në Durrës. Erdha që të përgatitem për Masterklas, jam profesioniste dhe dua që çdo gjë të jetë dhe të shkojë në rregull atë ditë. Gjithmonë kam pasur dëshirë të vij në Shqipëri t’i mësoj, këshilloj dhe inspiroj vajzat shqiptare. Masterklas mbahet me 20 Prill dhe shpresoj që do t’i takoj shumë mbështetësit e mi aty.

 Mendoni se jeni në fazën më të mirë të karrierës suaj artistike?

–  Unë në këtë moment ndihem shumë e bekuar për gjërat që kam bërë deri tani, por mendoj që kam shumë gjëra të tjera që dua të mbërrij dhe të arrij më lart. Punoj shumë vazhdimisht që ta rris kompaninë time “Duart Beauty”.

Ju keni më shumë se një javë që jeni në Shqipëri. Gjatë ditëve që keni ndenjur në këtu, jeni takuar me shumë vazja dhe gra. Si të duket “grimi” ynë në gjykimin tënd si profesioniste?

–  Po, vajzat e Shqipërisë nuk dallojnë shumë ndryshe prej vajzave në Amerikë.

Ku gabojnë femrat shqiptare në make up?

–  Jo vetëm në Shqipëri, por ka shumë vajza që bëjnë gabim me konturimin dhe highlighting e rëndë.

Sa kohë i duhet një femre të bëjë një make up të mirë?

–  Kjo varet për çfarë lloj makeup po flitet. Për një grim të lehtë të ditës 20 minuta, ose për një grim për evente të rëndësishme 45 min deri në 1 orë.

Çfarë do të sugjeroje për nënat shqiptare që nuk kanë shumë kohë për make up?

–  Duhet patjetër të mos harroni të lyeni me kremërat e fytyrës, kremi i fytyrës me faktor mbrojtës kur del jashtë shtëpisë dhe exfoliation 1-2 herë në javë.

Në New York-un që ju jetoni e punoni, cila është periudha që femrat i kushtojnë më shumë rëndësi vetes, dmth që ju keni më shumë ngarkesë?

–  Këto 3 vitet e fundit, unë jam e ngarkuar me punë çdo javë dhe çdo muaj.

“Duart Beauty” është linja juaj e qerpikëve. Në Shqipëri vihet re që jo vetëm nga vajzat por edhe gratë nuk e refuzojnë vënien e qerpikëve fallco, madje së fundmi kanë dalë dhe me mbjellje. Jeni ju e rrezikuar në biznesin tuaj me këtë risi që sapo ka dalë të paktën në Shqipëri?

–  Jo, sepse ka shumë vajza që nuk i mbjellin qerpikët. Kam shumë kliente që i kanë qerpikët e mbjellura, por prapë kanë dëshirë t’i shtojnë edhe qerpikët e “Duart Beauty”. Edhe qerpikët që mbillen nuk janë për gjithë jetën!

Grimi është një profesion që e mendoni se do ta keni gjithë jetën apo është një fazë kalimtare në karrierën tuaj?

–  Deri sa duart e mia të funksionojnë ky është profesioni im i përjetshëm. E dua pafund dhe e bëj me shumë pasion.

Çfarë konsideron si kulminacion të karrierës tënde?

–  Lancimi i kompanisë time “Duart Beauty”.

A je ndjerë ndonjëherë se nuk mundesh më dhe është koha të dorëzohesh?

Asnjehere!!!!

Çfarë ju inspiron?

-Shumë gjëra më inspirojnë: natyra, makeup që shoh nëpër kopertina dhe në TV, biseda me vajza artistike.

Kujt ia dedikoni karrierën tuaj?

–  Mamit, sepse ajo ka qenë arsimtare e artit në Prishtinë dhe kam mësuar shumë prej saj dhe ende mësoj shumë nga ajo.

 

 

Facebook Comments
Loading...