Studimi i fundit tregon lidhjen e inteligjencës së fëmijëve me këtë ushqim

Sipas një studimi të ri nga Universiteti i Pensilvanisë, fëmijët që hanë peshk të paktën një herë në javë kanë rezultate të larta në testet e matjes së koeficientit të inteligjencës.

Studimi ka treguar një marrëdhënie midis acidit yndyror Omega-3 të pranishëm në shumë lloje peshqish dhe inteligjencës, si dhe gjumit më të mirë.

Studimi u krye me 541 pjesëmarrës të moshës 9 -11 vjeç në Kinë ndër të cilët 54 % djem dhe 46 % vajza, të cilët ju nënshtruan një pyetësori mbi konsumin e peshkut në muajin e kaluar me opsione që varionin nga ‘kurrë’ në ‘të paktën një herë në javë’. Ata gjithashtu ju nënshtruan një testi inteligjence i cili shqyrtoi aftësitë verbale e jo-verbale si dhe fjalorin dhe logjikën.

Prindërit e tyre iu përgjigjën pyetjeve rreth cilësisë së gjumit duke përdorur pyetësorin e standardizuar të zakoneve të gjumit të fëmijëve, të cilat përfshinin tema të tilla si kohëzgjatja e gjumit dhe frekuenca e zgjimit gjatë natës ose përgjumja gjatë ditës. Së fundi, hulumtuesit kontrolluan për informacionin demografik, duke përfshirë edukimin prindëror, profesionin, statusin martesor dhe numrin e fëmijëve në shtëpi.

Studiuesit zbuluan se fëmijët që raportuan se konsumonin peshk çdo javë  arritën pikë më të larta në provimin e inteligjencës në krahasim me ata që kishin ngrënë rrallë ose nuk kishin ngrënë kurrë peshk. Përveç kësaj, konsumi i lartë i peshkut u shoqërua me më pak shqetësime të gjumit.

Facebook Comments
Loading...