Skandali/ Paguan një mijë euro në QSUT, për të bërë rreze tek onkologjiku

Ditën e sotme emisioni “Stop” ka denoncuar se si shërbimi shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare  blihet me para në dorë.

Përmes kamerës së fshehtë, emisioni ka zbuluar se për të hyrë pa radhë në pavionin onkologjik dhe për të bërë rreze, mjafton të paguash të paktën 1000 Euro!

Në rastin e denoncuar, është marrë kartela e një pacienti nga Suhareka e Kosovës, i cili aktualisht është në Zvicër. Emrin e pacientit nuk e po bëjmë publik, por në QSUT në Tiranë paraqitet një e afërmja e tij.

Ajo kërkon që të marrë zgjidhje për të afërmin e saj, me qëllim që pacienti të bëjë rrezet në QSUT. Në recepsionin e spitalit atë e drejtojnë tek infermieri Pali Cuni, ndërsa ky i fundit e dërgon me rekomandim te doktor Enes Hafizi apo doktor Nesti.

Vajza takohet me doktor Nestin dhe i shpjegon atij të gjithë situatën. Pasi njihet me rastin e pacientit, mjeku i kërkon vajzës se duhet të sjellë dokumentet e epikrizës së të afërmit të saj nga spitali në Kosovës.

Ai sqaron gjithashtu se pasi pacienti të hapë kartelën në QSUT, minimalisht duhet të presë 1 muaj – 1 muaj e gjysmë për të bërë rreze për shkak të radhës.

Pasi merr dokumentet që iu kërkuan, vajza shkon sërish në QSUT për t’u takuar me doktor Nestin. Në këtë takim, ajo i thotë se për t’u bërë rrezet në Zvicër duhen minimalisht 20 mijë Euro dhe i premton mjekut në QSUT para në këmbim të kapërcimit të radhës. Pas këtij momenti, problemi i rrezeve është i zgjidhur dhe radha nuk ekziston më!

Takimi me mjekun u caktua dhe pacienti do të paraqitet për vizitë në QSUT. E afërmja, i duhet të largohet nga Shqipëria dhe i solli mjekut dokumentet e fundit që i duheshin si dhe i përmendi pagesën që do t’i japë nën dorë, 1 mijë Euro.

Doktor Nesti u shfaq disi i zhgënjyer kur mësoi për këtë shumë parash, duke thënë se janë një sërë shërbimesh që do të bëhen për pacientin, i cili do të shmangë edhe radhën. Megjithatë, paratë u pranuan.

Në takimin e fundit me doktor Nestin, vajza sjell edhe paratë që një pacient tek pavioni i onkologjikut në QSUT duhet të paguajë për të hyrë pa radhë. 1 mijë Euro të ndara në 800 Euro dhe 255 mijë Lekë të vjetra.

Tashmë gjithçka është gati dhe mbetet vetëm paraqitja e pacientit që t’i hapet kartelë dhe të bëhen analizat. Përpos ryshfetit, mjeku i përmend vajzës së i afërmi i saj duhet të paguajë edhe 30 mijë Lekë të vjetra që është pagesë e detyrueshme në spital. /gazetareforma.com

Facebook Comments
Loading...