Si të mbrohemi nga infeksionet e syve?

Dr. Teuta Haveri

Syri është një organ shumë i rëndësishëm i trupit tonë. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm të cilët lënë pasoja ndonjëherë të pariparueshme. Lidhur me problemet në sy dhe këshillat për të pasur sy të shëndetshëm Dr. Teuta tregon shkaqet që sjellin acarimin e tyre si dhe shpjegon disa nga sëmundjet kryesore te tyre, si diagnostikohen dhe kurohen në kohë për të parandaluar dëmtimet e rënda dhe permanente.

 Doktoreshë Teuta, meqë stina e pranverës ka filluar, mund të na shpjegoni cilat janë problemet e syve që hasen më shpesh në këtë stinë?

-Më të shpeshtat prej tyre janë infeksionet, tharja e syve nga temperatura e lartë, irritimi nga uji i detit dhe i pishinave apo dhe nga alergjitë e stinës. Shenjat prezantuese të tyre mund të jenë: djegia e syve, kruajtja, sekrecionet. Në prani të këtyre

simptomave pacienti duhet të shkojë menjëherë te mjeku specialist për të marrë trajtimin e duhur.

 Si mund të mbrohemi nga infeksionet që dëmtojnë sytë?

-Mbajtja e higjienës personale maksimale për të shmangur infeksionet ngjitëse, të cilat shkaktojnë probleme. Të evitohet prekja e syve me duar të palara. Evitimi i kontakteve me personat që paraqesin infeksion aktiv me sekrecione të shtuara, kjo vlen sidomos për fëmijët që qëndrojnë në grupe të mëdha: kopshte, çerdhe.

Sa e rëndësishme është mbrojtja e syve nga dielli?

-Vendi ynë bën pjesë në vendet me rrezatim diellor të fortë, prandaj mbajtja e syzeve të diellit merr një rëndësi të veçantë sidomos në stinën e verës. Retina (shtresa e brendshme e syrit) është shumë delikate dhe e ndjeshme nga ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj diellit. Përdorimi i syzeve të diellit me filtra mbrojtës UVA është i domosdoshëm sidomos në plazhe apo pishina kur reflektimi shton sasinë e rrezeve që hyjnë në sy. E njëjta gjë vlen si për të rriturit edhe për fëmijët.

Cilët janë faktorët alergjikë dhe cilat janë shenjat e alergjisë në sy?

-Faktorët kryesorë alergjikë janë: faktorët ambientalë (pluhurat, detergjentet), alergjitë e stinës (polenet), faktorët kozmetikë. Konjunktivitet alergjike shfaqen me skuqje të syve, kruajtje që është shenja kryesore dhe mund të shoqërohet edhe me ënjtje të kapakëve. Gjithmonë duhet të kihet parasysh se trajtimi asnjëherë nuk mund të bëhet në mënyrë individuale sepse mund të shkaktohen probleme në sy. Sipas shkallës së rëndesës së alergjisë, mjeku okulistë pas ekzaminimit të syrit me biomikroskop duhet të jetë ai që vërteton diagnozën dhe rekomandon kolire antialergjike të shoqëruara ose jo me tableta antialergjike.

Si mund të mbrohemi nga alergjitë e stinës?

Të shmangen kontaktet me faktorët ngacmues. Të shpëlahet menjëherë syri me ujë të bollshëm në momentin që ndodh kontakti i padëshiruar nga faktori alergjik. Të mbahen syze dielli me filtër mbrojtës. Të përdoren syza mbrojtëse, sidomos në pishina.

Pasi folëm pak për problematikat specifike të syve në stinën e verës a mund ta zgjerojmë pak temën e bisedës duke na sqaruar se cilat janë sëmundjet më të zakonshme të syve dhe si trajtohen?

-Më e zakonshmja në moshat mbi 50 vjeç është katarakta ose, siç njihet, perdja e syrit. Sot në botë vazhdon të jetë shkaku kryesor i verbërisë. Në fakt nuk duhet konceptuar si sëmundje e mirëfilltë, por si një ndryshim

fiziologjik i avancuar i syrit. Prek një ndër pjesët përbërëse të syrit që quhet kristalina. Avancimin e kataraktës mund ta përshpejtojnë sëmundje si diabeti, sëmundjet reumatizmale, traumat e syrit apo përdorimi i kortizonikëve për një kohë të gjatë.

Cili është trajtimi në këtë rast?

-Trajtimi është vetëm kirurgjikal. Avancimi i teknologjisë ka vënë në dispozicion metodën e Phacoemulsifikimit, të cilën ne e përdorim me sukses në klinikën tonë për heqjen e perdes prej shumë vitesh. Parimi i saj është tretja (lëngështimi) i perdes me anë të ultratingujve, dhe thithja me vakum nëpërmjet një hapje minimale prej

vetëm 1.8 -2.2 mm në sipërfaqen e syrit. Këto lloj operacionesh janë minimalisht invazive, komode për pacientin, pa dhembje, realizohen nën anestezi lokale me pika dhe rikuperimi i pamjes është i ndjeshëm që në ditët e para pas operacionit. Vendosja e lenteve intraokulare cilësore jep rezultate të shkëlqyera dhe afatgjata post operatore. Gjithashtu me anë të tyre mund të eliminohen të metat e refraksionit që pacienti mund të ketë pasur para operacionit.

Po diabeti a ndikon te sytë?

-Diabeti, sidomos ai i pazbuluar apo i pakontrolluar, mund të dëmtojë enët e gjakut të syrit. Për pasojë shkaktohet ajo që ne e quajmë retinopatia diabetike, e cila paraqitet në trajtën e grumbullimit të njollave hemorragjike, yndyrave dhe edemës (ujit) në pjesën e brendshme të syrit (në retinë). Këto depozitime pengojnë shikimin e qartë dhe nëse nuk trajtohen mund të shkaktojnë komplikacione edhe më të rënda, si shkolitje të retinës apo glaukomë (tension të syrit), rezistent ndaj mjekimit dhe burim i dhembjeve të forta në sy.

Si trajtohet diabeti në sy?

-Më e rëndësishme është ndjekja e rregullt te mjeku endokrinolog dhe aplikimi i skemës së trajtimit të përcaktuar nga ai. Ky është thelbi për ruajtjen në normë të vlerave të glicemisë (sheqerit në gjak) dhe hemoglobinës së glukolizuar,

të cilat janë shkaqet kryesore të dëmtimit të enëve të gjakut të syrit. Gjithashtu kontrollet tek mjeku okulist duhet të

jenë të rregullta çdo 6 muaj për të kapur retinopatinë diabetike që në fazat e para kur trajtimi është më i thjeshtë. Në spitalin tonë në përdorim aparatin e OCT (Optical Coherence Tomography) apo skaner i syrit i cili mundëson dallimin e edemës makulare te diabetikët në fazat e hershme.

Çfarë është glaukoma (tensioni i syrit)?

-Sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur glaukomën (tensioni i syrit) për arsye të frekuencës në rritje dhe aftësisë invalidizuese të saj. Glaukoma është sëmundja e dëmtimit të nervit të syrit, për shkak të tensionit okular të lartë. Ka dy forma të saj: glaukoma pa dhembje (glaukoma me kënd të hapur); glaukoma me dhembje (glaukoma me kënd të mbyllur ose kriza). Glaukoma pa dhembje është ajo që shkakton më shumë verbëri sepse pacienti, duke mos ndierë shqetësime, paraqitet shumë vonë te mjeku, atëherë kur dëmtimi i pamjes është i avancuar, kur nervi i syrit është dëmtuar dhe ky dëmtim është i pariparueshëm. Glaukoma me kënd të hapur fillon të dëmtojë gradualisht fushën periferike të pamjes, e ngushton atë progresivisht por duke qenë se pamja qendrore ruhet, pacienti është koshient vetëm kur humbet edhe pamja dhe dëmtimi i nervit bëhet i parikuperueshëm.

Si mund të parandalohet kjo?

-Një vizitë te mjeku okulist të paktën 1 herë në vit, gjatë së cilës matet edhe tensioni intraokular që mund ta zbulojë glaukomën që në stadet fillestare, të rekomandohet trajtimi i duhur me kolire antiglaukomatoz, të cilët mbrojnë nervin e syrit nga dëmtimi definitiv. Kjo gjë është e detyrueshme për moshat mbi 50 vjeç dhe sidomos ata që kanë pasur familjarë që kanë vuajtur nga glaukoma, pasi kjo sëmundje ka edhe një bazë gjenetike trashëgimie. Në këto rastet e fundit në spitalin tonë rekomandohet dhe ekzaminimi i fushës vizive, një ekzaminim i thjeshtë jo invaziv që na ndihmon në diagnozën e hershme të glaukomës.

Sipas jush, pse pacientët neglizhojnë të vizitohen?

-Arsyeja kryesore që pacienti vjen me kaq vonesë është se kjo lloj glaukome nuk ka shenja tipike. Shenja kryesore mund të jetë djegia e lehtë e syve, ndërrimi i shpeshtë i numrit të syzeve, vështirësia e shikimit natën, që njerëzit i neglizhojnë dhe shkojnë tek mjeku me vonesë. Prandaj këshillohet që për çdo problem të syve të paraqiten te mjeku specialist pa vonesë. Në fund, për ta mbyllur do të doja të citoja edhe njëherë postulatin e njohur të mjekësisë “Të parandalosh është më mirë sesa të kurosh”. Për fat të mirë, avancimet e teknologjisë na kanë vënë  në dispozicion aparatura të cilat na ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve dhe rrjedhimisht kurimin e hershëm dhe të suksesshëm të tyre.

 

Facebook Comments
Loading...