Nga verorja te kulaçi me lek, ja traditat që ndjekin shqiptarët për Ditën e Verës

Dita e Verës simbolizon ardhjen e pranverës dhe festën që mbahet për t’iu gëzuar natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë.

Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).

Shqiptarët kanë ndjekur ndër vite disa tradita duke filluar nga gatimet e deri besëtytnitë e fatit që shoqërojnë këtë 14 mars.

“Iconstyle.al” ju sjell disa nga traditat më të veçanta që janë ndjekur ndër vite, edhe pse mund të ndryshojnë nga krahina në krahinë:

Ballokumja

Ballokumja është gatimi tradicional që karakterizon këtë festë. Kjo lloj ëmbëlsire është tradicionale e Elbasanit, receta e së cilës është ruajtur prej vitesh nga gjyshet tona. Megjithatë shumë prej familjeve që nuk mund ta bëjnë dot, e blejnë atë mjafton që ta dinë se ka ardhur nga Elbasani.

Verorja

Tradita e vendosjes së verores në kyçin e dorës është ndjekur prej vitesh. Verorja vendoset një ditë para Ditës së Verës, pra më 13 mars dhe hiqet kur shihet dallëndyshja e parë për t’u varur në degë. Shumë familje këndojnë edhe këngë ose vargje gjatë vendosjes së verores.

Ndezja e zjarrit

Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre në natyrë. këto zjarre më pas kapërcehen me idenë e çlirimit nga meraket dhe trishtimi i dimrit.

Degët e pemëve

Në disa krahina, fëmijët e vegjël mbledhin degë pemësh, kryesisht dafinash, dhe shkojnë derë më derë duke bërë “ciu, ciu” për t’i uruar fqinjët apo të afërmit një stinë të mbarë. Ata gostiten me ëmbëlsira dhe dhurata të vogla. Familjet i kushtojnë rëndësi personit të parë që hyn në shtëpi dhe nëse është një djalë i ri, thonë se sjell mbarësi.

Vezët me ngjyrë

Kjo është një traditë e festës së Pashkës, mirëpo në zona të ndryshme të Shqipërisë në Ditën e Verës bëhen vezët me ngjyra të ndryshme. Fëmijët luajnë duke i “goditur” njëri me tjetrin për të parë se kush është më “i fortë”. Personit të parë që i çahet veza është “i humburi”.

Dreka e Verës

Në datën 14 çdo familje shtron një drekë në shtëpi, ose më e preferuar është në natyrë në formën e një pikniku. E rëndësishme është që ushqimet të jenë të përgatitura një natë më parë.

Kulaçi me lek

Gjatë drekës së 14 Marsit, ndahet edhe kulaçi mes pjesëtarëve të familjes për të parë se kujt do t’i qëllojë leku që është vendosur brenda tij. Leku simbolizon mirëqenie dhe mbarësi.

/Iconstyle.al

Facebook Comments
Loading...