Kristina Baki: Kërcimi, jo edhe aq i lehtë sa duket në TV Drilon Hoxha: Kur kërcen në dasmë, fisi nuk të vë pikë

 Kristina Baki: Kërcimijo edhe aq i lehtë sa duket në TV

Drilon Hoxha: Kur kërcen në dasmë, fisi nuk të vë pikë

Ata kanë disa javë që shfaqen të hënave në “Dance with me”. “Miss Universe Albania 2013” Kristina Baki dhe producenti/aktori Drilon Hoxha, po shijojnë në maksimum mbrëmjet e kërcimit. Secili prej tyre shpjegon lidhjen me skenën, baletin, frikërat dhe tensionet gjatë spektaklit, pa lënë mënjanë edhe kënaqësitë që të fal pista e vallëzimit përballë jurisë e konkurrentëve të tjerë.

Kristina, si e ndjen veten në kërcim?
-Kërcimi apo baleti më ka pëlqyer gjithmonë. Kur isha e vogël mbyllesha në dhomën time dhe kërceja para pasqyrës të paktën 1 orë në ditë, ndonjëherë bëja edhe koreografi. Për mua kërcimi është një çlirim energjish negative dhe për më tepër një shkëputje e bukur nga realiteti. E sigurt që s`bëhem dot një balerinë profesioniste, por kështu si një vajzë e thjeshtë do të mundohem të kërcej gjithmonë.

E kishe të vështirë përshtatjen me partnerin, Drilon Hoxhën?
-Jo, aspak. Driloni është një djalë pozitiv, po ashtu me energji pozitive, me sensin e humorit që e karakterizon na e rrëmben nga një buzëqeshje në çdo moment, kështu që për mua është kënaqësi që jemi bashkë në këtë eksperiencë.

Kur zëvendëson një çift, gjëja e parë që vihet re është krahasimi. Ka ndodhur me ju kjo gjë?
-Në asnjë moment s`na kanë krahasuar; çdo njeri ka personalitetin e tij. Unë të paktën s’e kam ndierë fare këtë pjesën e zëvendësimit, jam përshtatur shumë shpejt dhe më duket sikur kam qenë që në fillim aty.

Na thuaj të vërtetën, sa kilogramë ke rënë deri tani dhe ke dashur në ndonjë moment ta lësh programin?
-Të them të vërtetën nuk jam peshuar dhe nuk e di sa kg kam humbur, por e sigurt që nuk do të jenë pak, pasi çdo ditë është intensive, jemi çdo ditë në prova, ndonjëherë edhe me orar të zgjatur. Ka pasur momente edhe kur jam lodhur aq shumë sa kam thënë se nuk e bëj dot më, por të nesërmen kam ndryshuar mendim sërish. Gjithsesi, për mua është një eksperiencë e bukur dhe po mundohem ta shijoj në maksimum.

Si ju kanë pritur konkurrentët e tjerë? A ka xhelozi mes jush?

-Konkurrentët na kanë pritur shumë mirë, me fjalë pozitive dhe buzëqeshje, deri tani as xhelozi nuk ka pasur për asnjë ose të paktën unë s`kam vënë re një gjë të tillë, të shohim deri në fund mbase edhe ndryshojnë gjërat.

Në cilën prej disiplinave jep maksimumin e në cilën ndihesh më në siklet se kurrë?
-Çdo disiplinë ka vështirësinë e vet. Duke qenë se nuk jam një balerinë profesioniste, shumë shpesh më duken të vështira kërcimet, por Albi me profesionalizmin e vet mundohet gjithmonë të m’i thjeshtojë gjërat, kështu që deri tani e kam ndierë veten mirë te të gjitha kërcimet.

Ti ke frikë nga gjykimet e Robertit?
-Jo, nuk kam aspak. E nisa këtë eksperiencë për ta shijuar, pa marrë parasysh asnjë koment negativ. Edhe në qoftë se ka, nuk më mërzisin aspak. Roberti deri tani ka shprehur vetëm fjalë pozitive për ne, kështu që nuk më ka lënë vend për të pasur frikë.
A është aq i lehtë kërcimi sa ç’e shohim ne nga TV?

-Në fakt ashtu më dukej edhe mua kur e shikoja nga televizori, por më beso që nuk është aspak, edhe lëvizjet më të thjeshta tani më duken shumë të vështira, sepse ka shume elemente që duhen brenda, si qëndrimi, interpretimi, mimika, statura apo lëvizja, që nga televizori çdo njeri mendon se mund t`i bëjë shumë kollaj. Jo, duhet goxha punë deri në një përfundim të mirë.

Drilon, si u ndjeve kur të thanë për të shkuar në “Dance with me”?

-U ndjeva mjaft mirë dhe i vlerësuar kur më propozuan për këtë spektakël kaq të ndjekur për momentin. Mendoj se ky propozim erdhi në kohën e duhur. Ndihesh mjaft i vlerësuar kur të tjerët të japin besimin të ngjitesh dhe të bësh show në një skenë spektakli.

Sa prej shokëve të vunë në lojë e sa të inkurajuan? Shpat Kasapi çfarë të tha?

-Shoqëria bashkë me Shpat Kasapin ka qenë mbështetje shumë e madhe për mua. Ne artistët nuk shkojmë aty për të treguar se sa bukur kërcejmë, por jemi aty për të falur sadopak buzëqeshje për të gjithë ata që na duan dhe na ndjekin çdo javë.

Kush mendon se kërcen më mirë, ti apo Kristina?

-Mund të them se Kristina kërcen më mirë se unë, “ma merr në kthesë”, por në rrugë të drejtë s`ma kalon dot (qesh).

Si është për një “BOSS” të kërcejë përballë një jurie profesioniste?

-Sapo e the ti vetë, si një “BOSS” i vërtetë (qesh). Boss-i është pjesë e filmit, në spektakël jam Driloni.

Meqë jemi këtu, ti mendon se ajo skenë e filmit ishte OK, apo kaloi edhe pak në vulgaritet?

-Mendoj se ishte në rregull për atë që doja të tregoja unë. Mesazhin që dëshiroja të përcillja, jam i sigurt që shumica e kanë marrë me atë skenë. Ishte një batutë që u bë mjaft e njohur për shqiptarët, pikërisht pasi komizmi ishte çështja kryesore e asaj skene. Vulgariteti krijohet kur mungon energjia pozitive dhe nuk të lejon të shikosh përtej horizontit tënd dhe nëse kjo ndodh, atëherë nuk është faji im.

Të bezdis Robert Aliaj me batutat e tij? Të janë ngritur ndonjëherë nervat?

-Absolutisht jo, nuk ka arsye pse të më ngrihen nervat. Çdo njeri ka mënyrën e tij për të shprehur mendimin, mirë apo keq. Nëse je aty, ke pranuar çdo kritikë dhe fjalë të mirë që mund të marrësh.

Ti ke mësuar të bësh padjeshka? Nga ndryshon skena e “Dance with me” nga dasmat apo klubet?

-Ndryshimi i “Dance with me” me dasmën është se në dasmë kërcen dhe fisi nuk të vë pikë (qesh), vetëm ndonjë teze që të thotë “të lumshin këmbët” (qesh).

Çfarë të shkruajnë fanset në rrjetet sociale dhe a ka ndonjë prej tyre që të urren?

-Nëpër rrjete sociale nuk marr urrejtje, përkundrazi respekt dhe shumë dashuri nga njerëz që më shkruajnë dhe shfaqin simpatinë e tyre ndaj meje. Në këtë botë nuk do të pëlqehesh nga të gjithë dhe një artist këtë gjë e di mjaft mirë. Jam i sigurt që artisti jep shumë gjëra të mira nga vetja, kështu që nuk ngelet vend për urrejtjen.

Facebook Comments
Loading...

2 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] Read More on to that Topic: gazetapaloma.net/kristina-baki-kercimi-jo-edhe-aq-i-lehte-sa-duket-ne-tv-drilon-hoxha-kur-kercen-ne-dasme-fisi-nuk-te-ve-pike/ […]

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

18 − 8 =