Jam një vajzë që ndjej shumë për një grua që ka 3 fëmijë. Çfarë duhet të bëj?

Mister X, po pija kafe me shoqen time të ngushtë dhe burrin e saj. Kemi qenë dhe jemi miq të mirë prej kohësh. Në një moment krejt papritur ajo thotë: “Nëse më ndodh gjë mua, nëse unë nuk jetoj më, do të doja që ju të dy të martoheshit dhe jam e sigurt se edhe dy fëmijët e mi do të jenë të sigurt”. Të dy ne u habitëm dhe të paktën unë mendova se po bënte shaka. Por ajo duket se e kishte seriozisht. Ajo është 35 vjeçe, mesa di unë gëzon shëndet të plotë. Nuk më ka zënë gjumi nga kjo gjë dhe ende rri mendoj, pse ma tha këtë gjë?

Përgjigje: Duhet të bëjë një kontroll psikologjik. Ka shumë të krisur rreth e rrotull.

 Mister X, jam 27 vjeçe dhe ndiej shumë për një grua. Ajo është 38 vjeçe, ka 3 fëmijë dhe martesa e saj, sipas vetë asaj, është e mbaruar. Kurrë nuk kam parë një femër në këtë mënyrë siç e shoh atë. Kam pasur më parë marrëdhënie me djem dhe kjo që po më ndodh është e çuditshme. Kemi punuar bashkë 2 vjet në një lokal. Ajo ishte menaxhere, unë kameriere. Pinim kafe çdo ditë dhe na ecte muhabeti. Kam një vit që ndiej shumë për të, por tani e ndiej që nuk e kam më veten nën kontroll. Dy muajt e fundit kemi komunikuar shumë me telefon dhe ajo e di tashmë që ndiej shumë për të dhe për çudinë time më tha se edhe jo ndjente. Tani jam edhe e frikësuar sepse nuk kam ndier më parë për të njëjtin seks. E mendoj gjithë kohën dhe kur jam e kthjellët them se nuk kam asnjë shans. Ajo është e martuar, ka tre fëmijë dhe për më tepër, megjithëse mami dhe babi janë intelektualë, jam e sigurt se po ta merrnin vesh diçka të tillë nuk do të më shihnin më siç më kanë parë. Për më tepër opinioni këtu është vrasës. Ndonjëherë mendoj se thjesht duhet të ndërpres komunikimin me të, të ndërroj punë dhe të përpiqem ta harroj. Kurrë nuk kam pasur ndjenjë kaq të fuqishme për dikë dhe nuk po e besoj dot se edhe ajo ndjen të njëjtën gjë. Çfarë duhet të bëj ju lutem?

Përgjigje: Të zbatosh këshillën e De Biazit. Jo vetëm me zemër, por edhe me tru…

Mister X, kam rënë në dashuri me një djalë të moshës time. Komunikonim me Snapchat dhe ai pëlqente fotot e mia në Instagram. Por mami e zbuloi dhe më ka marrë celularin. Pa u bërë 18 vjeç, – thotë, – ta harrosh celularin. Unë jam 15 vjeçe. Si mund të rri pa celular? Çfarë t’u them shoqeve me të cilat po ashtu komunikoj rregullisht? A është e drejtë që mami të më ndëshkojë për një gjë që e ndiej shumë? V.

Përgjigje: Ti nuk ke faj. Por edhe mamaja jote si kujdestare legale e jotja nuk ka asnjë faj. Secili bën të veten.

Mister X, a është e mundur që njeriu të bjerë në dashuri vetëm duke komunikuar me të panjohur në internet? Kam njohur një djalë nga Ukraina dhe komunikojmë 5-6 orë çdo ditë. Nuk e heq dot nga mendja. Nuk dal fare nga shtëpia dhe mezi pres të futem në Skype. A mund të ketë të ardhme kjo dashuri?

Përgjigje: Ti po bën një pyetje të madhe që përfshin gjithë jetën. Takohuni një herë fizikisht. Pastaj shihni. Ndërkohë mos harro se atje ka luftë.

Mister X, a e ndiejnë dashurinë në mënyrë të njëllojtë si burrat edhe gratë? A e kuptojnë njëlloj të dyja gjinitë? Çfarë është fiksimi dhe çfarë është dashuria? Si duhet dhe si mund të zgjosh interesin e dikujt për ty? Pse njerëzit nuk e duan dhe nuk e kërkojnë dashurinë, por duan rehatinë e pozitën? Pse nuk presin dashurinë e sinqertë, por rendin pas parasë e interesit personal? Kaq egoistë jemi ne karshi ndjenjës së dashurisë sa edhe zemrën nuk e dëgjojmë, por dëgjojmë dhe besojmë gjykimet e botës për dikë dhe i marrim për të mirëqena? Kaq egoistë jemi apo duhet të jemi kur jeta është e shkurtër, kur të papriturave të saj nuk u dihet dhe nuk e lejojmë veten për të qenë të lirë për të dashuruar, kur fshihemi nga njerëzit për hir të një morali të rremë në këtë rast? Për hir të rekomandimit të fisit apo të njohurve marrim dikë që na e rekomandojnë pa e dashur. Pse?

Përgjigje: Hë pra, pse?

Facebook Comments
Loading...