Jam 41 vjeç, burri im ejakulon pa penetrim dhe shpejt. Ju lutem më jepni përgjigje.

 Përshëndetje zonja Suzi! Kam përdorur kontraceptiv për parandalimin e shtatzënisë, ato që pihen brenda 72 orëve pas aktit seksual, quhen Prevent. I kam pirë shpesh, gati një herë në dy javë, për pesë muaj. Të lutem më thuaj, a janë të dëmshme për mitrën apo për shëndetin?

-Përdorimi pa kriter, jashtë këshillave të mjekut, është gjithmonë i dëmshëm dhe me pasoja që mund të shfaqen më vonë, atëherë kur nuk i pret. Prandaj ju duhet patjetër të kryeni një vizitë te mjeku gjinekolog, i cili përveç këshillës do t’ju japë edhe informacionin e duhur për përdorimin e preparateve të tilla.

Jam 41 vjeç, burri im ejakulon pa penetrim dhe shpejt. Jam shumë e shqetësuar. Ju lutem më jepni përgjigje.

-Ky është një problem që duhet zgjidhur me mjekun androlog. Mund të mos jetë ndonjë gjë serioze, por thjesht një problem i shkaktuar nga ndonjë stres që bashkëshorti po kalon. Por gjithsesi ju duhet të flisni me një mjek androlog, i vetmi që mund të japë një këshillë të saktë profesionalisht.

Përshëndetje zonja Suzi! Jam një djalë 32 vjeç, kam probleme me penisin, nuk më ngrihet dhe s’mundem të bëj seks. Gjithashtu prishem shumë shpejt. Ju lutem më ndihmoni!

-Vetëm vizita te mjeku androlog mund t’i japë një përgjigje të saktë shqetësimit që ju keni.

Përshëndetje zonja Suzi! Një shqetësim kam unë: a ka mundësi infeksioni për mashkullin kur kryen marrëdhënie të pambrojtur me një femër që është akoma me menstruacione? Kam merak duke ditur që menstruacionet janë gjakra të papastër. Djegia e mitrës nga kondomi është normale? Faleminderit!

-Rreziku për infeksion rritet me kryerjen e marrëdhënieve të pambrojtura seksuale gjatë menstruacioneve. Kjo jo sepse është gjak i papastër, por sepse gjaku është terren i përshtatshëm për zhvillimin e baktereve, që natyrisht ndodhen në atë zonë, pasi është edhe zona e urinimit dhe defekimit. Prandaj rekomandohet përkujdesje dhe përdorimi i prezervativit. Sa i përket pyetjes së fundit, nuk di të ketë ndonjë lidhje midis djegies së mitrës dhe kondomit. Por për një përgjigje më të saktë mund t’i drejtohesh një mjeku gjinekolog.

Përshëndetje zonja Suzi! Jam një 40- vjeçar. A mund të përdor Viagra dhe çfarë efektesh anësore ka? Sa kushton një kokërr dhe si përdoret? Ju faleminderit!

-Ju duhet ta përdorni preparatin vetëm të rekomanduar nga mjeku androlog. Preparate të tilla është mirë që gjithmonë të përdoren nën këshillat mjekësore. Nuk e di sa kushton, mund të pyesni në farmaci për këtë. Gjithashtu edhe për përdorimin mund të pyesni farmacistin ose mjekun gjinekolog.

E dashur Suzi, unë jam një vajzë 15 vjeçe dhe kam një të dashur 19 vjeç. Nuk kam kryer asnjëherë marrëdhënie seksuale, por një ditë i dashuri, me prezervativ, penetroi vetëm një herë pak sekonda, pasi unë nuk doja të bëja asgjë. Nuk pata aspak dhimbje, por kur ika në shtëpi pashë që më kishte dalë pak gjak, vetëm pak. A e kam humbur virgjërinë? Nëse kur të rritem kryej marrëdhënie a do kem gjakderdhje? Faleminderit!

-Ju thoni se ka ndodhur penetrimi, pak apo shumë nuk ka një matës për këtë. Nga sa shkruani kuptohet që zhvirgjërimi ka ndodhur. Megjithatë, për të qenë e sigurt, mund të bëni një vizitë gjinekologjike.

Zonja Suzi, jam një vajzë 21 vjeçe, dua të di a është e mundur që një mashkull të kryejë marrëdhënie me një femër në gjendje gjumi pa u vënë re nga femra? Po nën efektin e qetësuesit? Kur femra humbet virgjërinë çfarë shqetësimesh ka?

-Nëse femra ka qenë në gjumë, të provokuar nga qetësues, atëherë është e mundur që të mos e mbajë mend ose mos ta ketë kuptuar nëse është kryer marrëdhënie seksuale. Sa i përket humbjes së virgjërisë, shqetësimet që e pasojnë atë janë shumë personale. Madje shpesh ndodh që nuk ka asnjë shqetësim!

Përshëndetje zonja Suzi! Ju lutem më ndihmoni me një përgjigje. Jam një çun nga Durrësi, kur kryej marrëdhënie më ngrihet penisi me vonesë. Të lutem një përgjigje.

-Ju nuk keni vënë moshën tuaj. Nëse jeni 18-20 vjeç, ndodh edhe kështu, që edhe pse je i eksituar, nuk reagon në mënyrën e zakonshme, por duhet pak kohë. Por kjo mund t’i ndodhë edhe një njeriu të rritur dhe arsyet janë të ndryshme, nga stresi, monotonia etj.

Zonja Suzi, jam një djalë 13 vjeç, ka rreth 16 muaj që masturbohem. Dua ta di, a është normale kjo?A. Tiranë.

-Po, është më se normale. Kjo është periudha kur ti po zbulon dhe njeh veten tënde si qenie seksuale. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar!

Përshëndetje zonja Suzi. Jam një grua e divorcuar prej 12 vitesh. Sot jam 40 vjeçe dhe kam 6 vjet që jam dashuruar me një burrë të martuar. E dua shumë dhe ai bën çdo gjë për mua, mirëpo unë nuk jam treguar e sinqertë që në fillim me të. Tani ai i ka marrë vesh të gjitha, po prapë më do dhe më thotë se m’i kam falur të gjitha. Pyetja ime është kjo: A mund të kem një të ardhme me të se edhe nga gruaja është ndarë? Apo nuk mund të funksionojë kjo lidhje? I dashuri im është 41 vjeç. Të lutem më jep një përgjigje se e kuptoj dhe vetë që nuk e meritoj atë, por dashuria nuk mungon. Ju uroj gjithë të mirat.

-Nga sa shkruani ju provoni vetëm ndjenja faji. Dashuria këtë të mirë ka, shmang ndjenjën e fajit, pasi në dashuri njerëzit nuk fyejnë. Ku ka ndjenja faji ka frikë dhe frika nuk është shenjë e mirë. Përpiquni të shmangni viktimizimin. Nëse nuk ia keni thënë, nuk keni qenë gati ose nuk keni ditur se si ta thoni të vërtetën. Janë pikërisht këto ndjenja, të fajit, të frikës, të viktimizimit, që gati-gati po ju prishin cilësinë e marrëdhënies. Mesa duket, ju nuk i njihni vlera vetes tuaj dhe mbi të gjitha nuk e keni të çmuar si veten dhe jetën tuaj. Ju i keni ofruar partnerit veten dhe e tërë biseda duhet të zhvillohet në këtë logjikë, jo nëpërmjet dyshimit dhe të metave të njëri-tjetrit. Ju keni kaq kohë bashkë dhe kjo tregon se aty ka diçka shumë me vlera, që pikërisht këto ndjenjat e fajit që provon do të ta prishin.

Përshëndetje zonja Suzi! Jam një vajzë 18 vjeçe. Problemi im është se para një jave kreva marrëdhënie për herë të parë me të dashurin. Por ai më tha që nëse unë nuk bëj më seks dhe nuk lind fëmijë, pas dy muajsh apo më shumë mund të jem prapë e virgjër. Të lutem shumë më kthe përgjigje sa më shpejt se jam në merak. Ju faleminderit!

-Më vjen keq për përgjigjen që do të të kthej, por virgjëria nuk rikthehet. Por ky nuk është problemi yt më i madh. Ki kujdes, i dashuri juaj ka përdorur formën më të shëmtuar të mundshme për të të “ngushëlluar”. Ki kujdes nga kjo kategori meshkujsh, që sillen në këtë mënyrë, që nuk dinë as të mendojnë dhe as të respektojnë, pasi ata kanë eksperienca shumë të rënda në jetën e tyre dhe kështu nuk kanë gjë tjetër për të ofruar.

Përshëndetje! Jam një vajzë 16-vjeçare, jam shumë e shqetësuar sepse zakonet më përsëriten 2 herë: një herë në fillim të muajit, një herë në fund. A është një gjë për të cilën duhet të shqetësohem? Me respekt, S.

-Mbase ju bëni pjesë në atë grup femrash, të cilat ciklin e kanë 21 ditësh. Megjithatë unë do t’ju sugjeroja të flisnit me një mjek gjinekolog, pasi vetëm ai mund të përgjigjet me përgjegjësi profesionale për këtë shqetësim tuajin.

 

Facebook Comments
Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

five × three =