H.P./ Takim pas 10 vitesh

Në orë të vona të kësaj mbrëmjeje kam gjetur frymëzimin për të përcjellë për ju një histori, e cila më shumë është një falënderim për një familje që shumë kohë më parë më ka mirëpritur në sofrën e saj si pjesëtar i shtëpisë.

Falë internetit gjetëm mundësinë të kontaktojmë pas plot 10 vjetësh!
Ishte vera e vitit 1998 ku mora guximin të largohesha nga një zonë veriore e Greqisë për të shkuar drejt kryeqytetit të Greqisë, me shpresën se do të krijoja një jetë më të mirë. Një mik më ftoi të qëndroja në shtëpinë e tij dhe shpresa se do të gjeja ndonjë punë më të lehtë dhe më fitimprurëse ishte e madhe.

Fillimi ishte shumë vështirë për arsye se nuk njihja njeri në atë vend dhe ankthi ishte i dyfishtë se nuk do t’ia dilja mbarë. Por kot nuk i thonë se e rëndësishme është të provosh. Pak rëndësi ka nëse ia del mbanë qëllimit, rëndësi ka që merr përsipër të bësh çdo sakrificë dhe mundohesh të bësh diçka me sa mundësi që ke!

Pas disa ditëve, miku im më tha të shkonim për vizitë tek një byrazer i tij që jetonte po në Athinë, por në një periferi tjetër. Pas njohjes së parë me këtë familje nuk ndihesha më si i humbur mes një qyteti të madh, por sikur të isha në gjirin e familjes sime.

Ata ishin me të vërtetë njerëz të dashur, mikpritës dhe shumë të kulturuar.

Kjo familje ishte me origjinë nga Elbasani dhe kishte disa vjet që jetonte në atë vend. Meqë djemtë e kësaj familjeje ishin gati të një moshe me mua, fillova të shkoja më shpesh dhe krijova një shoqëri shumë të ngushtë.

Ditët kalonin dhe fakti që isha pa punë më nxiste çdo ditë e më shumë që të bëja ndryshim, të ndërroja vend ose të gjeja punë medoemos, por ja që nuk ishte aq e lehtë të ktheja kurrizin dhe të largohesha nga ato njerëz të mrekullueshëm që njoha në atë vend.

Por për shkak të problemeve ekonomike  duhej të ikja nga ai vend që të kujdesesha  për veten time Athina është me të vërtetë një kryeqytet, ku duhet të kesh shumë kujdes për çdo hap që hedh.

Dhe këshu, pas një periudhe gjashtëmujore vendosa të ikja në ishull, ku kisha vëllezërit. Ata më kishin gjetur punë.

Me keqardhje u përshëndeta me të gjithë pjesëtarët e kësaj familjejeje, që më mbajtën për gjashtë muaj dhe më respektuan aq shumë.

Për disa kohë vazhdonim të mbanim komunikim nëpërmjet telefonit, por kjo gjë nuk shkoi gjatë sepse ata ndërruan vend dhe unë nuk kisha numrin e tyre.

Muajt e vitet kalonin pa e kuptuar dhe jeta na dërgoi në vende të ndryshme, duke u munduar gjithmonë për një jetë më të mirë.

Me anë të internetit, u mundova shumë herë të gjeja ndonjë të dhënë nëpërmjet emrave të tyre, por pa rezultat. Derisa para tri netësh u futa në Facebook dhe, duke pasur parasysh që në Shqipëri është bërë disi e njohur faqja e Facebook, mendova të shikoja mbase gjeja ndonjë të dhënë aty. Provova me emrat e tyre dhe më dolën shumë persona me të njëjtin emër. Vazhdova të klikoja në çdo person dhe shikoja shoqërinë e tyre, sepse mendova se të kishin njëri-tjetrin në listë.

Pas shumë përpjekjesh i gjeta dhe u dërgova mesazh. Megjithatë nuk besoja shumë se mund të ishin ata, sepse kishin kaluar plot 10 vjet dhe në fotot e tyre kishin shumë ndryshim.

Pasi dërgova mesazhet, vazhdova të bisedoja me miqtë e mi të gazetës. Pas bisedës, si zakonisht, shkova të shikoja nëse kisha ndonjë lajm. Çuditërisht lajmi i mirëpritur kishte ardhur. Në mesazh shkruhej:

Nuk ka përse kërkon falje sepse nuk ke bërë krim, veçse ke nderuar veten tënde dhe mua. Ai që të kërkon të më falësh jam unë, Saimiri. Gëzohem pa masë që një mik si ti më kërkon. Shpresoj të jesh mirë ti dhe familja jote. Tani që dimë si të komunikojmë, shpresoj që të bisedojmë më shumë. Të fala ke shumë nga unë dhe familja ime. Mirë u dëgjofshim së shpejti!

Vërtet u gëzova shumë me këtë mesazh se e kisha pritur me kohë një çast të tillë dhe më në fund koha e pritjes mbaroi.

Ata jetojnë në Spanjë dhe shpresojmë të takohemi së shpejti.

Përpara se ta mbyll, dua të bëj një falënderim nga thellësia e shpirtit për këtë familje që më ka mbajtur para 10 vitesh. Kurrë nuk i harroj dhe uroj që Zoti t’u sjellë fat dhe lumturi gjatë gjithë jetës së tyre.

Dhe tani në mbyllje të kësaj historie që ndava me ju, të dashur miq dhe lexues të gazetës “Paloma”, dua t’ju them fjalën e urtë popullore: Shokun e ri njihe, të vjetrin mos e harro!

Unë në atë kohë fitova diçka që nuk humbet, respekt, një bujari, ngrohtësi, që vlejnë më shumë se gjithçka në këtë planet. Miqësia është gjëja më e shtrenjtë për njeriun. Nëse harron miqësinë tënde, nuk je as mik i të tjerëve. Faleminderit për kohën e kushtuar për leximin e historisë sime! Ju përshëndes të gjithëve pa përjashtim!

Me respekt për të gjithë lexuesit, nga Eri-England.

©gazetapaloma

Facebook Comments
Loading...