H.P./ Si e zhvlerësojnë femrat shqiptare veten e tyre?

Si nuk ndryshoi ndonjëherë mentaliteti i njerëzve në këtë vend! Po marr iniciativën të shkruaj këtë histori, pasi jam i habitur nga realiteti që kam gjetur në Shqipëri edhe pas 8 vjetësh. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë vend. Njerëzit kanë frikë edhe nga hija e tyre, i shohin të tjerët me dyshim. E vë re këtë gjë sidomos tek femrat dhe sidomos kur është fjala për të krijuar marrëdhënie me një mashkull.

Këtu akoma janë me mentalitetin se meshkujt mund ta duan një femër vetëm për seks. Dhe femrat i tremben kaq shumë faktit se një mashkull mund t’i braktisë pasi të bëjnë seks, a thua seksi është kënaqësi vetëm për meshkujt dhe jo për femrat!

Unë jam një djalë 26-vjeçar. Kam disa muaj që jam kthyer nga jashtë. Kam bërë shkollën e lartë në Bullgari dhe kam qëndruar atje edhe disa vjet pas shkolle. Pas kësaj përvoje vendosa të kthehesha në vendin tim për të qëndruar më pranë familjes dhe me shpresën se mund të kontribuoj në vendin tim me arsimin që kam marrë jashtë.

Kam qenë gjithmonë një djalë i dashur dhe shumë i shoqërueshëm. Gjatë gjimnazit, përpara se të largohesha nga Shqipëria, jam ndierë disa herë i dashuruar, kam bërë shumë për femrat që më kanë pëlqyer, por ato nuk më janë përgjigjur me të njëjtën monedhë. Kam qenë shumë i ndjeshëm ndaj femrave. Tërhiqesha lehtësisht prej tyre, por në vitet e gjimnazit mund ta them me bindje se jam ndierë disi i frustruar, pasi ato kurrë nuk më kushtuan vëmendje. Nuk arrita të krijoja kurrë një marrëdhënie që mund të shkonte përtej ca puthjeve. Me pak fjalë, për këto vajza seksi ishte diçka e ndaluar sepse duhej të ruanin virgjërinë. Ndërsa unë në mendjen time kurrë nuk mendoja që të bëja seks me to dhe t’i braktisja. Kur e pëlqeja një vajzë e pëlqeja në tërësi, si për të shkëmbyer një bisedë, ashtu edhe për të bërë seks. Nejse, pas këtyre viteve të gjimnazit, gjatë të cilave unë përtej tentativave mbeta i virgjër, jetova një eksperiencë krejt ndryshe.

Kur shkova në fillim jashtë, kisha edhe unë mentalitetin e këtushëm. Mendoja se edhe andej vajzat do të ishin “të vështira”. Por në fakt gjeta një realitet krejt tjetër, që mua m’u duk parajsë. Vajzat nuk kishin fobi nga seksi, përkundrazi. Nëse ndonjërës i pëlqeje, ajo ishte e gatshme të bënte seks. Në fund të fundit seksi nuk ishte një kënaqësi vetëm për mashkullin, por edhe për femrën. Dhe pasi kishte bërë seks, ajo nuk e kishte për gjë të të braktiste.

Më duket për të qeshur tani, ashtu siç kam përshtypjen se do t’ju duket edhe ju. në muajt e parë të jetës në Bullgari njoha një vajzë në një klub nate, siç njihen rëndom të rinjtë. Më pëlqeu jashtë mase nga pamja e jashtme. Atë natë kërcyem e biseduam. Unë u marrosa pas saj. Nuk e prisja që ajo të më ftonte në dhomën e saj. Kalova natën me të (mëngjesin, më mirë të them). Para se të ndaheshim shkëmbyem edhe numrat e telefonit. Mezi prisja ta takoja sërish. Shokët, ata që kishin më gjatë se unë në Bullgari, më thanë të mos nxitohesha për ta marrë në telefon, por mua aty më rrinte mendja. Në darkë e mora në telefon dhe i fola sikur të ishte fakt që ne ishim të lidhur. Ajo me takt u përpoq të ma bënte të qartë se thjesht kishim kaluar një mbrëmje të këndshme. Mbeta si guak, ndërsa shokët u tallën me mua. Në atë kohë e konsiderova si të përdalë atë vajzë, sot më vjen turp që po e shkruaj këtë mendim të atëhershëm.

Me pak fjalë, dua të them se femrat jashtë janë shumë të lirshme dhe nuk kanë frikë se do të braktisen nga meshkujt po të bëjnë seks. Ato i bëjnë qejfin vetes dhe e marrin jetën si të vijë, pa komplekse të këtij lloji.

Tani që u ktheva në Shqipëri, një kushëriri im më prezantoi me një shoqen e vet. Më tërhoqi menjëherë jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe si tip. Fillova të dilja rregullisht me të, duke mos ia fshehur simpatinë që kisha. Duket se edhe asaj i pëlqeja. Krijuam një marrëdhënie bashkë. E ftova disa herë në shtëpinë time, por nuk pranoi të vinte. Një natë pasi kishim dalë në një klub nate i thashë që të shkonim të flinim në hotel, por përsëri nuk pranoi. Më tha se nuk ishte gati që të kryente marrëdhënie seksuale me mua. S’e kuptova se çfarë duhej të përgatiste, po nejse. Kështu kaluan dy muaj dhe vendosa të flisja për këtë pjesë sepse për mua nuk kishte kuptim të kisha një të dashur me të cilën nuk bëja seks. Ajo reagoi e indinjuar, duke më akuzuar se unë e doja vetëm për seks. I thashë se e doja edhe për seks dhe këtu nuk kishte asgjë të keqe. Të paktën mua më duket normale. Ajo më tha se nuk ishte gati të bënte seks me mua sepse kishte frikë se më pas do ta lija. Këto fjalë m’u dukën fyese për mua dhe për atë. Si mundet që një vajzë të ketë kaq pak besim tek vetja sa të mos jetë në gjendje ta kuptojë sa e vlerëson një mashkull? Nëse kishte një dyshim të tillë, për mendimin tim, ajo as që duhej të kishte pranuar të rrinte me mua, as nuk duhej të kishte shkëmbyer një puthje. Ç’është ky mentalitet, u bëjmë të gjitha përveç seksit!

Ky vendi ynë vazhdon të mbetet vendi i çudirave dhe femrat e këtij vendi e zhvlerësojnë vetë veten e tyre.

Facebook Comments
Loading...