H.P./Plaga dhemb më shumë kur e gërvisht

 

Telefoni po binte pa pushim. U ngrita dhe vura re që ishte mesnatë. Zemra sa nuk po më dilte nga kraharori. Më kaploi ankthi. Mes të ftohtit të lehtë dhe gjunjëve që tashmë nuk po qëndronin më drejt dallova numrin e tij. Nuk e dija nëse ishte gjëja e duhur ta hapja apo jo. Telefoni nuk po pushonte, e ngrita dhe e hapa.

-Po? – arrita të thosha me gjysmë zëri të përgjumur. Nuk mora asnjë përgjigje nga ana tjetër e telefonit, dëgjoja vetëm frymëmarrjen e tij dhe asgjë më shumë. Pas disa sekondash arrita ta dëgjoja teksa foli.

– Më dëgjo, më dëgjo mirë për herë të fundit në jetën tënde, unë…

-Ti asgjë, – u përgjigjja, – si guxon të telefonosh në këtë orë të natës? Si merr mundimin të më shqetësosh pas gjithçkaje?

-Të mora për të të dëgjuar zërin për herë të fundit…

Dallohej që ishte i pirë.

– Prit, mos e mbyll, – tha tërë mërzitje, – më thuaj që më do akoma, më thuaj se asgjë nuk është e vërtetë e ti nuk je e askujt përveç meje. Më thuaj se ti, trupi e shpirti yt, janë akoma pjesë e imja, fol dreqin!

Sa kohë, sa kohë kisha pritur që ai ta bënte diçka të tillë, të merrte mundimin të më pyeste se pse ndodhi gjithçka, të pyeste se pse u shndërruam në njerëz të huaj! Mijëra kujtime e mendime më erdhën njëherazi në mendje. Nuk e di se si, por arrita t’i përgjigjesha.

-Jo, ka kaluar kohë kur unë kam qenë e jotja, kur çdo gjë e imja të përkiste rrënjësisht. Dhe ti sot merr mundimin të më pyesësh për diçka të tillë, ti? Ti që u largove pa asnjë shpjegim, pa më lënë mundësinë të them fjalën e fundit?! Ku dreqin ishe kur shpirti m’u shkatërrua dita-ditës? Kur thërrisja emrin tënd e nuk merrja asnjë përgjigje përveç heshtjes? Ku ishe kur frymëmarrja m’u shua çdo ditë e më shumë? Shpirti m’u thye në mijëra copëza teksa flisja, por s’mund ta lija të vazhdonte më shumë.

Mbylla telefonin pa përfunduar mirë fjalinë. Zemra më zhgënjeu dhe ndjeva lotët teksa më ngrohnin trupin. Trupi po më dridhej sërish. Nuk e kisha harruar për asnjë çast të vetëm. Dashuria shpesh të shemb çdo pjesë të shpirtit, por duhet të dimë të largohemi nga aty ku dikur nuk na deshën. Dhemb, por plaga bëhet më e madhe nëse e prek dy herë…

Linda

Facebook Comments
Loading...