H.P./ Mos t’i vlerësojmë të tjerët më shumë se veten

 

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Unë nuk jam emigrant, por kam qenë për 6 vjet dhe pa dokumente. Di të them me plot gojë se pa letra nuk jetohet në asnjë shtet të botës. Sado që ta zgjasësh, përsëri vjen një moment që ke nevojë për përkrahjen e shtetit. U përpoqa për shumë vite që të bëja dokumentet, por nuk pata fat. Jeta jashtë shtetit është shumë e vështirë, kurse në Shqipëri sido që të jetë, je në vendin tënd dhe ke afër njerëz të familjes. Ne shqiptarët i kemi shumë të rëndësishme lidhjet familjare dhe miqësore dhe nuk jetojmë dot të izoluar vetëm për veten tonë. Unë jam nga ata që nuk do të kisha ikur asnjë ditë nga Shqipëria po të kisha pasur punë dhe mundësi ekonomike. Ku ka më mirë se të jetosh në vendin tënd!

Shqipëria ka të meta plot, por a ka vend në botë pa të meta? Unë jam nga ata që i dal në krah vendit tim. Thonë që në Shqipëri bëhen krime, por neve as nuk na i ka kapur veshi dhe as nuk na i pranon logjika disa krime monstruoze që bëhen nëpër botë. Thonë se në Shqipëri nuk ka rregull, por ne harrojmë se edhe vendet e tjera ku ka rregull e kanë kaluar më herët. Pavarësisht gjithë problemeve që ka Shqipëria është i vetmi vend në botë ku dua të jetoj dhe ku ndihem i lumtur. Në dhe të huaj asnjëherë nuk jam ndierë siç ndihem në vendin tim.

Edhe ne shqiptarët jemi bërë pak gjykues të ashpër të vendit tonë. Vetëm fjalë të këqija themi. Por për mendimin tim, edhe në vendet e tjera të botës ekzistojnë të njëjtat probleme. Duke qenë se ne kemi ardhur nga një e shkuar e errët, i vlerësojmë të tjerët më shumë se veten. Por unë e dua vendin tim, me gjithë të metat që ka. Ky është i vetmi vend ku dua të jetoj.

Duke ju uruar gjithë të mirat, po e mbyll letrën time. Faleminderit që na krijoni hapësirë të japim mendimet tona!

Facebook Comments
Loading...