H.P./ Më premtoi se do të më donte deri në vdekje

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga Shkodra. Vendosa që në faqet e kësaj gazete të shpreh diçka që më vret e një mall që s’di si ta shuaj.

Ishte data 5.9.07 kur u njoha me Ultimin nga Shkodër. U njoha krejt rastësisht teksa po kalonte me makinë me një shokun e tij. Kur e pashë, më tërhoqi e qeshura e tij dhe unë po e shikoja duke i buzëqeshur. Ai menjëherë zbriti nga makina dhe më hodhi numrin e tij të telefonit, të cilin e kishte shkruar në një copë letër. U lumturova shumë, pasi vërtet mendova se më erdhi fati që kërkoja.

Sa mbërrita në shtëpi i telefonova dhe folëm gjatë. Ajo telefonatë më gëzoi pa masë. Nuk pushoja dot nga e qeshura pasi goja e tij veç humor nxirrte. Kështu kaloi ajo natë plot emocion.

Vendosëm të takoheshim pas dy ditësh. Fillimisht kisha pak ndrojtje, por ai iku shpejt, sapo filluam të flisnim për njëri- tjetrin dhe të tregonim gjëra për jetët tona. Atë ditë unë mora puthjen e parë të jetës sime. Më premtoi se do të më donte deri në vdekje.

Më datë 09.09.2007 ai kishte ditëlindjen. Unë vendosa që të shkonim në një restorant për drekë. Pas drekës dolëm shëtitje. Gjatë gjithë rrugës vetëm putheshim dhe unë nga puthjet e tij po kuptoja se më donte me gjithë zemër, prandaj vendosa të shkonim në një hotel. Isha e virgjër dhe kisha shumë frikë. Por përderisa shkuam në hotel dhe duke qenë se isha e sigurt në ndjenjat që ai kishte për mua vendosa që do të ishte ai mashkulli që do t’i falja vigjërinë time.

Koha kalonte dhe ne të dy shkonim aq mirë sa një botë e tërë nuk mund të na ndante. Zakonisht kur takoheshim unë dilja bashkë me kushërirën time, pasi vetëm nuk kisha mundësi.

Por ja që një ditë u zura me kushërirën dhe nuk dilja dot më as të takoja Ultimin. I tregova se si qëndronte e vërteta, por teksa ditët kalonin malli për të shtohej, prandaj vendosa të dilja vetëm. Për të isha gati të bëja çdo lloj çmendurie.

Grindja me kushërirën zgjati më shumë nga sa e kisha menduar. I kërkoka Ultimit që të rrinim disa kohë pa u takuar, pasi kisha frikë se mos kushërira nga inati i tregonte mamit për lidhjen time.

Kaluan plot 8 muaj pa folur dhe pa u takuar. Po vuaja shumë për të. Kisha frikë se kjo largësi do t’i kishte ftohur ndjenjat e tij për mua dhe do të më kishte harruar. Prandaj vendosa të shkruaja në gazetë, ku i kërkoja numrin pasi gjatë kësaj kohe më kishte humbur. Ai ma dha. E mora në telefon dhe teksa i dëgjoja zërin lotët më shpërthyen.

I kërkova të takoheshim dhe ai pranoi. Sapo e takova, fillova menjëherë ta puthja, ndërsa ai po rrinte ftohtë, sikur nuk kishte më dëshirë të më puthte. Po më dukej sikur po e puthja me zor. U mërzita shumë dhe fillova të qaja. Atij nuk i bënë përshtypje lotët e mi. Vërtet unë u largova prej tij, u ndava pa i thënë asnjë fjalë. Megjithatë ai e kishte të qartë që ne do të lidheshim përsëri dhe që unë e kisha në zemër. Por ai atë ditë u tregua shumë i ashpër me mua. U largua dhe më la mua duke qarë, pa i ardhur aspak keq.

Atë natë e kam kaluar vetëm duke derdhur lot. I lutesha Zotit të ma kthente sërish Ultimin. Në mëngjes u ngrita me sytë e ënjtur nga lotët dhe pagjumësia. Nuk mund të rrija dhe e mora sërish në telefon, duke i kërkuar të takoheshim edhe një herë. Pranoi.

Kur u takuam i kërkova të fejoheshim. Ai nuk e pranoi këtë. Më tha që duhej të rrinim një herë tre muaj të lidhur dhe pastaj do të shihnim si do të shkonin gjërat. Nuk isha dakord me këtë vendim. I thashë se ne nuk po takoheshim në atë moment për herë të parë dhe se gjashtë muaj duhej t’i kishin mjaftuar për të më njohur. Fillova duke iu lutur që të pranonte të fejoheshim. I kujtova se e doja aq shumë saqë i kisha dhuruar dhe gjënë më të shtrenjtë timen, virgjërinë. Por më kot. Ai nuk bindej. Më thoshte: Ku e di unë se çfarë ke bërë ti gjatë këtyre 8 muajve që nuk kemi qenë bashkë?

E pashë që e kisha të pamundur ta bindja, prandaj u dorëzova. Vendosëm të mbeteshim vetëm shokë, por as për atë e as për mua kjo gjë nuk ishte e mundur. Mërzitesha shumë sa herë që e takoja dhe filloja të qaja, por ai nuk e kuptonte këtë gjë.  Në fillimet tona nuk e kisha menduar kurrë se do të vinte fundi, sepse ai më premtoi që do të më donte deri në vdekje. Une e doja dhe e dua çmendurisht, por ai kurrë nuk e besoi këtë gjë. Edhe tani që po shkruaj jam me lot në sy.

Dua të përshëndes stafin e gazetës dhe gjithashtu Akrepin Mk. për përgjigjet që kthen, Pjetrin Le, Perlën dhe poetët si “Loti i saj”, Myzejeni, Bora, Bela, Nati etj. Dhe në veçanti një përshëndetje e madhe për Ultimin.

Selda Shk.

Facebook Comments
Loading...