H.P./ Mallkojmë ditën që i futëm në shtëpi

Head shot of worried woman over white background

 

Përshëndetje lexues të gazetës “Paloma”!  Kam vendosur të ndaj me ju një tjetër histori timen.

Pasdite! Vrenjtësia e kësaj dite nëntori po më çon larg në kujtimet e së shkuarës. Uturima e erës më ngjall nostalgji. E ulur në tavolinë, vendosa të shkruaj këtë histori që kaq e kaq herë e kam nisur, por që në fund, gjithmonë pa pasur kurajë, e kam grisur.

Të them të drejtën, jeta ime është vërtet një histori tragjike, që po ta rendisësh që nga fëmijëria deri tani do të dalë një skenar filmi tragjik.

Jam 30 vjeçe dhe jetoj me vëllezërit, motrat e babain. Në një ditë si kjo e sotmja zë fill dhe historia ime.

Po binte shi, tamam si sot. Isha me motrën e vogël dhe po ktheheshim nga puna, pa shpresa dhe të mërzitura. Kur po prisnim autobusin për t’u kthyer në shtëpi, aty afër nesh pamë një vajzë me një fytyrë engjëllore, e veshur disi ndryshe nga ne. Ajo na u afrua, na pyeti për autobusin dhe po priste bashkë me ne. Pranë saj ishte një burrë rreth të 50-ave.

Biseduam me ta dhe zbuluam se ishin atë e bijë. Ishin predikues, predikonin fjalën e perëndisë së vërtetë. Nga biseda që bëmë doli se ata ishin pjesë e një organizate fetare.

Unë, si kureshtare që jam, i ftova në shtëpi për të diskutuar për temën “Pse i lejon vuajtjet Perëndia”.

Në ato momente nuk e dinim se kjo do të na kushtonte për gjithë jetën! Sa naive paskemi qenë, o Zot!

Pas ardhjes së kësaj vajze në shtëpinë tonë ne filluam të lexonim librat që na jepnin dhe të ndiqnim rregullisht mbledhjet e organizatës. Shkonim dhe dëgjonim se ç’thuhej atje.

Ajo vajza vazhdonte të vinte në shtëpinë tonë dhe na fliste për fenë  dhe ç’i pëlqente e ç’nuk i pëlqente Perëndisë që të bënim ne.

Asaj kohe isha shumë e lodhur dhe e stresuar, prandaj e lashë punën. Kështu komunikoja më shumë me atë vajzën. I flisja për problemet e mia, për problemet e familjes, e konsideroja mikeshë. Ajo ishte e qeshur, por sytë i kishte djallëzorë. Kur flisja me të lehtësohesha nga stresi.

E ku ta dija unë se ajo ishte e djallëzuar dhe fshihej nën maskën e Zotit?

Ne si familje ishim dhe besonim fenë ortodokse, por s’kishim shumë njohuri për të, pasi si të rritur në kohën e komunizmit kjo gjë ishte normale.

Ata flisnin për krishtërim, prandaj na tërhoqën, por kishin parime të tjera të çuditshme. Zotin e quanin me emër tjetër dhe nuk pranonin të bënin as një festë se sipas tyre në një ditëlindje iu pre koka Gjon Pagëzorit, që princesha ia kërkoi dhuratë.

Eh! E ç’tju jap hollësira të dashur lexues, e di se do të mërziteni me to!

Por një pyetje do t’jua bëj. A besoni ju se do të ngjallen të vdekurit? Si thoni, është i besueshëm ky parim?

Këtë pyetje e bëra, pasi ka lidhje me vëllain tim të vogël, i cili në atë kohë sapo kishte mbushur 14 vjeç. Ai nuk kishte mbetur jashtë studimit biblik. Por ndryshe nga të gjithë ne të tjerët i lexonte më me ëndje revistat që i jepnin ata, duke i premtuar parajsën.

Revistat ishin të ilustruara dhe aq të bukura sa të linin me gojë hapur nga ngjyrat dhe njerëzit e qeshur në foto.

Vëllai im duke lexuar ato dhe duke besuar të gjitha të vërtetat, një ditë nëntori mori çantën dhe doli në rrugë si misionar.

Për ata njerëz që nuk e dinë, kushedi si do t’u duket, prandaj unë po ju them se të jesh ndjekës i tyre do të thotë të mohosh jetën. Kështu ndodhi edhe me vëllain tim dhe e përjetoi e gjithë familja, që sot po vuan pasojat.

Ata arritën ta bënin për vete vëllain dhe e çuan deri në atë pikë sa të na urrente ne, si dhe zbatonte çdo gjë që i thoshin ata. I kërkonin llogari për çdo gjë. Nuk e linin të shoqërohej as me xhaxhain e vet. I bërtisnin në shtëpinë tonë. Na largonin neve nga dhoma dhe i kërkonin atij llogari. I thoshin se ai ia kishte dedikuar jetën Perëndisë dhe nuk kishte të drejtë të merrte vendime pa pyetur ata. I drejtoheshin duke e thirrur vëlla i dashur, e theksonin fjalën “vëlla”.

Ai ishte i vogël, vetëm 14 vjeç dhe nuk i kuptonte mirë disa gjëra. U mbyll në vetvete dhe nuk fliste fare. Neve të gjithë na urrente dhe nuk diskutonte për asgjë. Duke qenë nën presion u sëmur keq. Ai nuk pranonte as të vizitohej dhe kështu u bë më keq.

Pas shumë mundimesh e bindëm dhe e çuam te mjeku, i cili përcaktoi një diagnozë që më shqetësoi tepër. Fytyra e mjekut nuk më hiqet nga mendja edhe sot që kanë kaluar 10 vjet.

-Ç’ju duhet ju me këta! – bërtiti. Ai flaku syzet dhe sytë iu mbushën me lot.

-Shërojeni tani!

Unë u drodha e tëra. Mora recetën dhe dola me lot në sy. Por vëllain e qetësova. I thashë se mjeku nuk dinte dhe do ta çoja te një mjek më i zoti. Ai tani mjekohet rregullisht, por kjo ngjarje na vrau shpirtërisht të gjithëve.

Faji mbetet i yni se ishim më të mëdhenj. Kurse vëllai herë na gjykon neve e herë gjykon veten. Kjo ndodh përditë, akoma nuk është harruar.

Të gjithë ndihemi fajtorë pse e lejuam vëllain të shkonte me ta? Na e morën kalanë nga brenda, siç thotë babai gjithmonë. Ata ua vrasin psikologjinë njerëzve, sidomos atyre më në nevojë. Adoleshentët i kanë në qendër të vëmendjes. Ata që shkojnë atje sëmuren, mund ta them unë që kam qenë dje. Ata nuk jetojnë me realitetin, por futen në një botë tjetër, në gënjeshtrat e tyre, gjoja të bazuara në librin e shenjtë.

Ç’janë këta njerëz që shfaqen si të perëndisë dhe pas tyre fshihet djalli? Marrin në qafë moshat e reja, duke i vetëvrarë me helmin e bagëtive ose duke u hedhur nga pallati me shpresën e ringjalljes.

E shkrova këtë histori sepse më dhemb shpirti. Vëllai im mbeti i sëmurë prej tyre, por sa janë vetëvrarë, sa?

E shkrova këtë histori këtë ditë të zymtë sepse e zymtë ka qenë dita kur ata hynë në jetën tonë. Kur na thoshin se ata të shkatërronin shtëpinë ne nuk e besonim, por ja që na e shkatërruan. Kur shohim veten se si jemi sot e besojmë plotësisht, por është tepër vonë për ne. Kush e lexon këtë histori dhe ka mundësi të heqë dorë prej tyre, ta bëjë sa më shpejt se ata vrasin.

Një ditë i thashë vajzës-engjëll: Qoftë mallkuar dita kur u takova me ty! Nuk e shihja dot tim vëlla rrugëve me një çantë në dorë duke predikuar fjalën e Zotit. Çfarë Zoti? Zot që vret!

Ne jemi larguar prej tyre, por me vonesë, edhe pse më vonë mallkuam ditën që i futëm në shtëpi. Edhe pse kanë kaluar vite, ne akoma na ka mbetur peng në zemër përse ndodhi kjo, por do të luftojmë për të mos e kujtuar, për ta harruar.

Me respekt, shpirti që vuan! ©gazetapaloma

Facebook Comments
Loading...