H.P./ E urrej shumë këtë gjë, por nuk po e mund

Përshëndetje të gjithëve! Unë jam një palomist i vjetër si në moshë, ashtu edhe në leximin e kësaj gazete.

Kam lexuar në këtë gazetë lloj-lloj shkrimesh, me kureshtje dhe vëmendje, por nuk e kam të natyrës të gjykoj apo të paragjykoj njeri; nuk kam licencë e as nuk paguhem të përgojoj të tjerët. Më ka dëshiruar zemra shumë që të komunikoj me njerëz që kanë shkruar në këtë gazetë, por për fatin tim të keq ata nuk kanë lënë adresë e as numër telefoni.

Shumë herë edhe unë kam menduar që të shkruaj histori nga jeta ime, por akoma më vlon zemra se nuk di nga t’ia filloj, pasi për të gjitha vetëm romani “Nëna” do të më mjaftonte. Por tani që e nisa po e çoj deri në fund. Më duket sikur kam kaluar dy jetë. Por shyqyr Zotit që njeriu nuk e di as fillimin e as fundin dhe shpresa qenka ajo që të mban gjallë. Kush ka lindur do të vdesë, por lum ai që do të vdesë e prapë do të mbetet “gjallë”.

Të dashur lexues dhe lexuese të gazetës “Paloma”, këto që po shkruan kjo dora ime janë 100% të vërteta, sepse për çka them kam shënime dhe kopje që nga viti 1974. Unë u linda në një familje të varfër, saqë për disa vite me radhë as barku me bukë misri thatë nuk m’u ngop, jo më me mbath veshje apo të tjera gjëra. Deri në klasën e pestë e mbarova me brekushe, opinga të qepura me tela dhe pa dritë elektrike. Për shtrojë dërrasa e fier, për jastëk një copë dru palnje. Por hallall varfërisë, kisha patur edhe më bakshishe të tjera në këtë jetë, vuajtje shpirtërore dhe fizike.

Akoma pa hyrë në shkollë më zuri guri këmbën kur isha me dhi dhe më shtypi një gisht që më dha pak mundim. U rrëzova nga dardha dhe po të mos më diktonte axha i nënës, nuk do të jetoja sot. I bëra 15 ditë në spitalin e Burrelit. Më vonë më plasi një bombë në dorë, që as nuk e dija se çfarë ishte dhe as klasën e gjashtë nuk e kisha mbaruar. Por falë ndihmës së parë që më dha B.B, Xhemja dhe Buria shpëtova. Kalova 24 orë në spital pa u përmendur. Edhe sot pas 37 vjetësh e kam një copë hekur në kofshën e njërës këmbë.

Më vonë m’u ngulet një gjilpërë qepëse në këmbë, gjysma e sa më ngeli në kockë të këmbës. Nga frika e lidha me llastik këmbën dy herë. Kjo ndodhi të premten dhe me zor shkova te doktori të hënën, që më lidhën këmbë e duar dhe njëherë për mesi. Filluan operimin pa asnjë lloj ilaçi mpirës. Filluan në 8.00 të mëngjesit dhe me zor mbaruan në 2 pasdite. Edhe sot kur më kujtohet më rrëqethet trupi pasi më kishin futur dy gishta në lëkurë dhe kërkonin copën e gjilpërës. Më pas qëndrova 30 ditë në shtëpi me paterica dhe me një damar të këmbës të prerë, ndoshta pa dashje, por unë edhe sot e vuaj.

Edhe më vonë vijuan vuajtjet shumë të rënda morale, fizike, shpirtërore, njerëzore. Por ja që jeta u dashka jetuar si të vijë dhe jo si e mendon dhe dëshiron. Për aq moshë sa kam unë kam kaluar shumë brenga dhe vuajtje. Besoj se edhe gurit po t’i binin do ta kishin thyer me të vërtetë.

Më vonë rrodhën vitet dhe koha, por mua më duket se bashkë me vitet dhe kohën ndryshuan edhe njerëzit, duke filluar që nga trungu familjar dhe më tej. Harmonia, njerëzia, kultura dhe respekti u përdhosën. Më shumë shikohet pasuria se njerëzillëku. Unë e urrej shumë këtë metodë, por nuk po e mund.

Çfarë t’i thuash rinisë së sotme?! Kur u flet për të kaluarën, të shikojnë në sy sikur u tregon përralla me mbret. Ndonjëherë edhe i bezdis, por ky fenomen mua më duket se u shua edhe nga mosha e vjetër dalëngadalë. Ha bukën tënde dhe përgojo të tjerët. Harro të kaluarën dhe nuk e shikon të ardhmen.

Mendova se me ardhjen gjoja të demokracisë, njerëzillëku do të ulej dyst shtruar dhe njerëzit do të ishin më të qetë, më të dashur me njëri-tjetrin, jo kaq të pavendosur në vetvete, inatçorë e katilë mer njëri-tjetrin.

Pasi u  bënë të gjithë vëllezërit me nuse, harmonia ndryshoi shumë shpejt, mori për mbrapsht. Nganjëherë kur më del gjumi them se mbase jam në ëndërr, por nuk jam në ëndërr, jam në realitet.

Sot nuk i flet djali babait, nuk i flet djali nënës, vëllait, kunatës… Komandon gruaja burrin dhe bëhet një rrëmujë që nuk merret vesh. Siç e thashë edhe më sipër, për aq moshë sa kam jam takuar me lloj-lloj vështirësish, por gjatë viteve që kanë rrjedhur kam hasur edhe njerëz të mirë. Falë Zotit, ata shokë që kam, i kam të mirë e të artë si veten. Dhe kam dëshirë që disa shokë t’i përmend me emra: Sandër L. Brozi, A. Xepa, V. Mrishaj, Xheviti, Genc Cami, R.H. Meta, Sianani, Miri, Çim Kapo, Ismaili, Leka, Luli dhe Bujari. Kam edhe jashtë atdheut: Fotes Australi, Elektra Amerikë, nëna e pronarit Kanada, Greqi: Kristo, Sterio, Niku, Eva, Pandeliu, Angjelina, Thoma Xeni, Alqi, Rula Rena, Pavlo Maria, Evdhoqia, Sofia. Këta emra në një mënyrë apo në një tjetër më janë gjendur pranë me këshilla e para, saqë më duket sikur më lehtësojnë rrjedhën e viteve. Habitem kur mendoj dhe kujtoj se si ka mundësi të gjenden pranë njerëz të mirë në vende të ndryshme dhe shtete të tjera.

Ndërkohë që nga vetë trungu yt familjar ngrihet vëllai dhe të fut duart në fyt për një rrip tokë. Ngrihet tjetri e mbyll rrugët, pret thasët e miellit, furnizimin e 5 muajve. Rreh fëmijët dhe u nxjerr gjak, mbyt dhitë etj. Unë me format dhe metodat e mia jam munduar të duroj, por sa kufi ka durimi? Kam duruar shumë, por ishallah Zoti sheh se ai është i gjithëfuqishmi. Thonë halle, halle kjo dynja, por halli hallit nuk i ngjan, edhe pse hallet e tua të duken gjithmonë më të mëdhatë e më të vështirat.

Tani të më falni të dashur palomistë, por po e ndërpres shkrimin sepse m’u mbushën sytë me lot nga ato që më kujtohen ndër vite dhe zemra s’mban më sepse është plogështuar. Ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra shëndet e lumturi në jetë!

Nga unë, zemra e plagosur

Facebook Comments
Loading...