H.P./Burri më ka tradhtuar që ditën e parë që u njohëm….

 

Na ishte njëherë një vajzë shumë e brishtë, e vogël, e bukur, shumë elegante, e shkathët, punëtore, sa shoqe kishte veten. Vinte nga një familje e edukuar dhe e nderuar nga njerëzit që i njihnin. Kjo vajzë na u fejua me një djalë që kishte parë shumë lule. Ai ishte i prirë pas asaj për cilësitë e saj dhe e pëlqente shumë e ëma e tij.

Për çastin ishte e lumtur. Po ç’ndodhi? Atë javë ajo bënte 17 vjet. Vjehrra i dërgoi një orë dore, kurse ai një unazë shumë të bukur me gurë ngjyra-ngjyra. U gëzua pa masë. Të gjithë njerëzit e familjes nuk dinin se ç’bënin.

Por kjo lumturi zgjati shumë pak….

Në Fier shfaqej filmi “Romeo dhe Zhuljeta”. Shkuam në kinema. Na ra radha në mesin e sallës, radha 6. U ulëm, kur pas 10 minutash ai pa një vajzë rreth 23-24 vjeçe. Ishte e mirë, e gjatë, plot sharm. Pa më thënë asgjë, u ngrit e doli pas asaj. Edhe ajo na pa se ishte anash dhe doli nga kinemaja. Ai e ndoqi nga pas dhe erdhi kur kishte filluar filmi.

E pyeta se ku kishte qenë. Ai me qetësi më tha se pati pak punë e për të më qetësuar më hodhi dorën në qafë. E lashë pak për mos t’i rënë në sy dhe i hoqa dorën. Si mbaroi filmi u ngritëm e dolëm. Më tha të pinim ndonjë gjë të ftohtë. Nuk pranova dhe vazhduam rrugën për në shtëpi. Duke ecur e pyeta prapë, por e vendosur dhe e tërhequr.

Më kuptoi dhe më tha tërë mburrje: “Do të drejtën?! E kam pasur dashnore prej dy vjetësh. Ajo më ka mbajtur me lekë edhe kur isha 2 vjet ushtar”. Nuk e di si e mbajta veten. Më erdhi keq për vajzën dhe i thashë: “Pse e le? Ç’të ka bërë? E mirë ishte”. U përgjigj shkurt se nuk donte familja e tij. Ai ishte 26, ajo 23 vjeçe, e lezetshme.

Nuk i fola gjithë rrugës, sa vajtëm në shtëpi. Babai më kapi menjëherë e më pa drejt e në sy. Atë natë nuk hëngra darkë me ta e nuk e përcolla si zakonisht. Të nesërmen babai më thirri për të më pyetur. Nuk kam fjalë të flas se si u fut në zemrën time e më zbërtheu me plot dashuri. Në fund më tha: “Bëj si të duash, ti e di. Ama të dish një gjë. Të gjithë burrat janë njësoj”. Kishim tre muaj që ishim fejuar. Dy javë nuk i fola. Ai më premtoi shumë gjëra. Kjo dashuri u thye, u vra në moshën 17-vjeçare. Ëndrrat e mia u ndrydhën.

Martesa u bë. Isha si një copë akull. Njerëzit e tij më donin shumë, si fëmijët që nuk më ndaheshin, edhe të rriturit. Shpresoja se do ta rifitoja një ditë. Por jo. Ai vazhdoi rrugën e tij. Kur linda fëmijën e dytë, ai u kap me një në lagje. Iu drejtova prapë familjes time. Mbas shumë diskutimesh, si u rrahën mendimet, si më ai madhi nga vëllezërit e tij e mori prapë fjalën me lot në sy. Më foli plot dashuri e me fjalët e menduara mirë.

Më tha: “Mbaj lidhjet e forta me të dy fëmijët se i ke të mirë e mos e trego të gjithë ekonominë se do të ngelesh shumë keq. Nuk ia vlen të ndahesh se ke dy fëmijë pothuajse të rritur, njëri 9 e tjetri 12 vjeç”. Kështu bëra, por edhe nga ai nuk hoqa dorë. E laja, e hekurosja, i bëja bukë e gjellë, plus që punoja dhe merresha edhe me mësimet e fëmijëve.

Pas pak kohësh u lidh me një tjetër e nuk punonte. Ikte në mëngjes në orën 6.00 me makinë dhe vinte në 6.00 pasdite. U shkëput fare nga unë. Sot ai rri vetëm në një dhomë e nuk flet fare me mua, kurse me fëmijët, edhe pse ata nuk e mbështesin, flet. Djemtë më thonë se ai nuk duhet të na ikë nga shtëpia se u vjen rëndë nga shokët. Kjo demokraci na solli shumë të këqija në familje.

Faleminderit që më respektoni! Nga S.

Facebook Comments
Loading...