H.P./ Burri me jetë paralele

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Unë do të shkruaj rreth diçkaje që më ka përfshirë, ndonëse nuk kam lidhje direkte. Ndoshta do të më ndihmoni edhe me një mendim.

Jam një grua 36 vjeçe, jetoj prej vitesh në Greqi. Këtu kam krijuar familje. Jam e martuar dhe kam 3 fëmijë. Jetoj në një zonë ku ka shumë shqiptarë dhe jemi ambientuar mirë me jetën e këtushme.

Historia që do të tregoj nuk ka lidhje me mua, por me vajzën e tezes. Me të kam qenë shumë e lidhur. Kemi një moshë dhe kemi jetuar afër. Për mua ka qenë një motër, një shoqe, njeri shumë i afërt. Me të kam ndarë çdo gjë dhe ajo me mua. Por jeta e deshi që të ishim larg, megjithëse nuk e kemi humbur lidhjen e fortë që kemi pasur. Por kuptohet që largësia bën të vetën dhe secilën e ka marrë rutina e jetës së vet.

Edhe ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë. Burri i saj vjen shpesh në Greqi, edhe afër zonës ku jetoj unë sepse merret me tregti. Të paktën njëherë në muaj e ke në Greqi. Nganjëherë vjen na takon edhe neve. Edhe vajza e tezes ka ardhur disa herë bashkë me të shoqin, sidomos në kohë vere.

Para disa kohësh isha në qytet, sepse ne jetojmë në fshat. Isha bashkë me një shoqen time. Rastësisht në një park pashë burrin e gocës së tezes me një grua dhe një fëmijë rreth 5-6 vjeç. Ishim goxha larg. Unë u nisa që ta takoja se kur je larg ke shumë mall për njerëzit e vendit tënd. Edhe shoqja ime është shqiptare. Ajo më tha se e njihte atë gruan tjetër, se kishte punuar në një vend me të vite më përpara.

Kur po afroheshim, më duket se burri i vajzës së tezes më pa dhe papritur hipi shpejt e shpejt në një taksi bashkë me atë gruan dhe fëmijën dhe ikën me nxitim. Unë i thirra, por nuk u përgjigj. Më bëri përshtypje kjo sjellje. Mendova njëherë mos nuk më kishte parë e nuk më kishte dëgjuar, por unë e vura re një moment kur na u takua shikimi, pastaj ai bëri atë veprim.

Kur i thashë shoqes që ai ishte burri i vajzës së tezes dhe i shpreha indinjatën që kishte bërë sikur nuk më pa, ajo sikur u përtyp. Dhe unë u kujtova ta pyesja për atë gruan, kush ishte ajo. Kjo shoqja më tha se ajo kishte ardhur në Greqi shumë vite më parë, ishte bërë edhe me fëmijë, por ishte e pamartuar. Askush nuk e dinte me kë e kishte fëmijën. Kishte ndryshuar dhe vendbanim. Kishte shkuar në një zonë ku nuk kishte shumë shqiptarë, me ç’më tregoi kjo shoqja ime. Thoshte që kishte një burrë që rrinte në Shqipëri dhe rrallë vinte. Aty filloi të më punonte truri për keq, ngaqë nuk i jepja dot shpjegim sjelljes së burrit të vajzës së tezes.

Unë dyshoj se ai mund të ketë dy familje, një në Shqipëri dhe një në Greqi. Vajza e tezes ka dashur të vijë në jetojë në Greqi, por ai ka qenë gjithmonë kundër megjithëse i ka mundësitë. Dhe, siç e thashë edhe më sipër, ai vjen shumë shpesh në Greqi. Duket si histori filmash, por unë jam thuajse e bindur që është kështu.

Më ka shqetësuar shumë kjo gjë, sepse vajza e tezes është për t’u pirë në kupë, familjare dhe e përkushtuar ndaj fëmijëve. Nuk i lë gjë mangët as burrit, as fëmijëve. Si mundet një burrë të bëjë jetë paralele? Ndoshta po nxitohem në këtë gjykim. Më vjen të interesohem më shumë për këtë punë, por kam frikë se bëj gabim.

Nuk di ç’të bëj. Dëshirë kam që të flas me vajzën e tezes për këtë gjë, por kam edhe merak. E vë veten në pozitën e saj dhe ndihem e turbulluar. Më vjen ta pyes burrin e vajzës së tezes se cila ishte ajo grua dhe ai fëmijë që i pashë në park. Pastaj kam frikë nga reagimi i tij.

Më besoni se vetëm aty më rri mendja. Mendoj si për veten time dhe më duket e tmerrshme që një burrë t’ia bëjë këtë një gruaje, nënës së fëmijëve të vet. Më duket i pështirë edhe fakti që një grua mund të bëjë fëmijë me burrin e një tjetre. Jam e shqetësuar dhe nuk di si të veproj. Pres sugjerimet tuaja në gazetë.

Facebook Comments
Loading...