H.P./ Babi!

silhouette of father and son at sunset

Erdhi babi!

Ndonjëherë dashuritë e mëdha nuk arrijnë të shprehen siç duhet, sepse janë aq të mëdha sa që nuk ka fjalë për t’i përshkruar.

Kur dëgjojmë fjalën “dashuri” menjëherë na vjen në mendje dashuria e një çifti, por jo… ka edhe dashuri të tjera, akoma edhe më të fuqishme dhe njëra prej tyre është dashuria midis një prindi dhe fëmijës së tij. Është diçka e vyer që as koha, as largësia nuk e shuan dot. Është si dielli që, pavarësisht stinëve e reve të zeza, është gjithmonë aty edhe pse ka ditë që nuk mund të duket.

Sa vite kanë kaluar, çdo ditëlindje pa një festë, por thjesht një urim të dalë nga zemra, një urim nëpërmjet telefonit, sepse ti babush ishe larg, atje larg në mërgim! Kur mbyll sytë ende sjell në mendje ditën kur pas një viti ti u ktheve. Nuk arrij dot ta përshkruaj atë që ndjeva në ato momente. Mund të them vetëm që kur të pashë të hyje në portën e shtëpisë ishte sikur bota të rrotullohej rreth meje, ishim thjesht unë dhe ti. Nga gëzimi bërtita fort: “Erdhi babi”.

Vrapova drejt teje, më more në krahë, u përqafuam fort dhe lotët e gëzimit lagnin fytyrat tona plot lumturi. Në atë moment nuk doja gjë tjetër, por veç të rrija ashtu pranë teje e askush mos ta prishte atë çast madhështor. Isha fëmijë, vetëm 7 vjeçe, e kisha frikë mos ikje përsëri, por brenda meje e dija, e dija që kurbeti do të të merrte përsëri; do të merrte përsëri dritën e syve të mi, ajrin e çdo dite të fëmijërisë sime, diellin tim që nuk humbi kurrë, jo nga qielli por nga zemra ime.

Shpeshherë kur vështroja qiellin dhe yjet të ndieja pranë, sepse mendoja që të paktën ishim nën të njëjtin qiell edhe pse na ndante një det i tërë. Mbaj mend që kur isha e vogël ulesha gjithmonë pranë teje e ashtu më merrte gjumi. Por tani qeshim të dy kur vërejmë se jam rritur e nuk arrin dot të më mbledhësh të gjithën me krahët e tu si atëherë.

E di babush, të kam thënë shpesh që të dua shumë, por nuk e di sa e ke kuptuar këtë. Ndonjëherë mendoj se nuk jam shprehur aq sa duhet. Mundohem që të të bëj të ndihesh krenar për mua dhe e di që je. E di që thua me krenari që jam vajza jote dhe dua që të vazhdosh ta bësh këtë.

Kur isha e vogël, e shihja kur familja jonë e sidomos ti dhe mami vuanit nga varfëria e asaj kohe, por kur ndonjëri nga familja jonë sëmurej, qoftë edhe nga një grip i lehtë, unë të thosha gjithmonë: “Babush, kur të rritem dua të bëhem doktoreshë. Në radhë të parë që të shëroj ty me mamin, por edhe për të pasur një gjendje ekonomike të mirë që ju të mos mundoheni kaq shumë”.

Por ju ia dolët, me vullnetin tuaj e pa ndihmën e askujt, arritët të krijonit “perandorinë” tuaj, siç e quaj unë. Sepse unë e di, për ju asgjë nuk është e pamundur. Ndaj sot unë studioj e mundohem që ju të jeni krenarë për mua e që kur të dilni në rrugë ta mbani kokën lart, sepse prindër si ju e meritojnë respektin e të gjithëve.

Në shumë gjëra që bëj mbaj mend një shprehje që ti babush ma thua gjithmonë: “Një projekt i madh fillon nga një punë e vogël”. Po, ke të drejtë dhe ti me mamin jeni prova më e madhe për këtë. Me gjithë vështirësitë e jetës, ju arritët të ecni përpara, të ndërtoni shtëpinë e ëndrrave tuaja e të rrisni katër fëmijë. Na dhatë mundësinë të shohim botën, mua, vëllezërve dhe motrës sime, sepse doni që ne të bëhemi individë të rëndësishëm për veten dhe shoqërinë ku jetojmë. Gjithmonë më thoni të bëhem e zonja e vetes, të mos lejoj njeri të më shohë shtrembër kur kaloj në rrugë, por të eci me krenari, sepse në jetë shërbej për diçka.

Unë e di çfarë ëndërron ti për mua babush, ti do që një ditë të bëhem një doktoreshë e zonja e të kem një jetë ndryshe nga ajo që ju është dashur të kaloni ju.

Më vjen për të qeshur kur më kujtohet se një ditë më the: “Zemra e babit, kur ti të martohesh babushi do të vijë te shtëpia jote të të takojë të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten, të premten, të shtunën dhe të dielën”. Më pas të dy filluam të qeshnim se e kuptuam që ti kishe thënë të gjitha ditët e javës, pra që do vije të më takoje çdo ditë.

Kur ti ikën herët në punë, vjen çdo mëngjes të më puthesh mua dhe motrën ndërsa jemi në gjumë. Dhe kur nga nxitimi ndonjëherë harron dhe nuk vjen, kur kthehesh në darkë unë të qortoj. “Tani babush do të dënoj me puthje gjithë darkën, për të shlyer borxhin e mëngjesit”! E më pas ulem pranë teje e të dy bëhemi zotërit e natës, sepse jemi të vetmit në familje që rrimë zgjuar deri vonë.

Ka edhe diçka tjetër që nuk ta kam thënë, por që besoj se e ke kuptuar, që nëse ti më bërtet, qoftë edhe për gjënë më të vogël, unë prekem shumë sepse nuk dua të mërzitesh për fajin tim. Por kjo nuk zgjat shumë sepse ti di si ta rregullosh situatën. Vjen tek unë e fillon të më flasësh gjëra të bukura, më bën komplimente, më përkëdhel, derisa qesh me nervat e mia që zgjasin aq pak. E si mund të mërzitesh me ty babush, vetë fytyra jote më jep jetë.

Je idhulli im, qendra e botës për mua, je thjesht gjithçka. E dua shumë familjen time, por me ty babush më lidh diçka më e fortë, që as vetë s’e di çfarë është. Më thonë që të ngjaj shumë, që jam një kopje e jotja dhe kjo është diçka që më bën të ndihem krenare, sepse përveç karakterit tënd kam edhe tiparet si ty.

Në çdo ditëlindje tënden kam menduar shumë për një dhuratë sa më të veçantë, por asnjëherë nuk arrija të gjeja diçka aq të veçantë. Këtë herë mendova të bëj një surprizë të veçantë, që me anë të kësaj letre të botuar në gazetë të të uroj para mijëra lexuesve e mbi të gjitha nga thellësia e zemrës: Gëzuar ditëlindjen babushi im i shtrenjtë! Qofsh i lumtur e çdo ditë e jotja qoftë e pushtuar nga gëzimi, hareja dhe shëndeti mbi të gjitha!

Me anë të kësaj letre dua të të bëj të kuptosh përsëri se sa shumë të dua, edhe pse fjalët janë të pakta për ta shprehur. Dua të të them fjalët e pathëna, të të fal dhuratën më speciale për ditëlindjen tënde, sepse për mua ajo është dita më e shenjtë.

E di që të pëlqejnë poezitë që unë shkruaj, disa prej tyre t’i kam treguar ndaj e kam krijuar edhe një tjetër për ty.

-Me sytë e një fëmije botën time shikoja me çudi,
kërkoja kuptimin e saj, por kuptimi i saj je ti.
Kam ëndërruar të të dhuroj një yll,
por largësia e tij dhuratën ma bëri të pamundur
e në ëndrra ma la.

Kam ëndërruar të të dhuroj një rreze dielli,

por është përvëlues për një person të brishtë si ti.
Të të dhuroj qiellin gjithmonë kam ëndërruar,

por a kapet dot qielli, akoma s’e kam kuptuar…?!
Buzë detit, duke u endur, ende mendoja,
një dhuratë për ty vallë ku ta kërkoja?
E mbi gjethet e vjeshtës humba si e marrë,
mendimet u kthjelluan ashtu si me magji,
dhuratën për ty babush e gjeta:
të të them se kuptimi i jetës sime je ti.

Gëzuar ditëlindjen babi Tajar!
Me dashuri, vajza jote Emanuela.
Gjithashtu të uron e gjithë familja.

Facebook Comments
Loading...