A keni një fëmijë të preferuar?

Ky ndoshta është sekreti më i fshehtë i mëmësisë: të favorizosh një fëmijë ndaj tjetrit.

Favorizimi shpesh është i paqëllimshëm dhe mund të ndodhë për arsye të ndryshme. Ndoshta fëmija është ai që sillet më mirë në grup, sidomos nëse ka ndonjë talent, ka një lidhje speciale me prindin. Dhe ndonjëherë mund të jetë e kundërta e vërtetë: nëse një fëmijë ka probleme me sjelljen, ai mund të bëhet i preferuari sepse ka nevojë për vëmendje ekstra.

Ndërkohë që shumë nëna e kuptojnë që favorizimi nuk është etik apo një veprim i ndërgjegjshëm, një studim i ri i publikuar së fundmi tregon se të treguarit më shumë dashuri ndaj një fëmije jo vetëm që dëmton “tjetrin” por komplet unitetin në familje, duke shkaktuar probleme mendore tek fëmijët, si agresion, probleme me vëmendjen dhe probleme emocionale. Studimi përfshin 400 familje kanadeze me nga katër fëmijë secila, mesatarja e të cilëve kishte moshën nga 2 deri në 5 vjeç. Për shkak të axhendës së zënë të baballarëve, vetëm nënat kishin përgjegjësi për këta “faktorë rreziku”, si edukimi dhe niveli i të kuptuarit, stabiliteti mendor dhe abuzimi fizik. Më pas kërkuesit analizuan se sa shumë mamatë e tregonin favorizimin, të cilin e quanin “prindërim të ndryshëm” – duke dhënë feedback pozitiv për një fëmijë dhe negativ për fëmijën tjetër – duke vëzhguar ndërveprimin nënë-fëmijë dhe duke u bërë nënave pyetje si: Sa shpesh ti dhe fëmija yt flisni ose argëtoheni bashkë? Sa shpesh nervozohesh me fëmijën tënd?

U gjet se nënat me më shumë faktorë rreziku kanë tendencën të favorizojnë më shumë fëmijët. Ndërkohë që një fëmijë i favorizuar mund të përjetojë kënaqësi momentale, situata e përgjithshme në shtëpi bëhet armiqësore dhe agresive, sidomos mes fëmijëve, dhe kjo ishte pjesa më surprizuese.

Ky studim nuk e përcaktonte se pse disa fëmijë favorizoheshin në krahasim me të tjerët, por kur një familje nuk ka mbështetje ose burime, është më e vështirë për prindërit që t’i trajtojnë fëmijët në mënyrë të barabartë. Përgjithësisht prindërit bëjnë më të mirën për të qenë të drejtë me fëmijët. Problemi është stresi jashtë familjes që i prek prindërit dhe ata reagojnë në shtëpi. Dhe sigurisht që ka disa fëmijë që janë më problematikë dhe që kanë më shumë vështirësi për të krijuar marrëdhënie se të tjerët.

Fëmijët janë shumë të ndjeshëm për mënyrën se si trajtohen në shtëpi dhe kanë tendencën të krahasohen me pjesëtarët e tjerë të familjes. Më të mëdhenjtë mund edhe ta kuptojnë arsyen përse të vegjlit kanë nevojë për më shumë vëmendje apo pse u jepet më shumë, por është sidoqoftë e rëndësishme që nënat të jenë sa më transparente me dënimet ose kalimin e kohës me atë që ndihet i përjashtuar.

Nëse nervozoheni me një nga fëmijët mundohuni të kuptoni ndjenjat duke pyetur veten: Je e mërzitur për çfarë bëri fëmija yt apo se cili nga fëmijët e bëri?

Dhe më në fund, sado stresuese të jetë, këshilla “nuk është e drejtë” është e saktë. Dëgjoje fëmijën sepse ai shpesh mund ta thotë se ndihet i padashur. Dëgjoji dhe mëso prej tyre.

Si ta bësh martesën të funksionojë (pasi ke bërë fëmijë)
  1. Në fund të një dite të gjatë, mbaj mend se vera dhe seksi mund të zgjidhin shumë gjëra. Mos e nënvlerëso fuqinë e asnjërës prej tyre, aq më tepër kur kombinohen.
  2. Mos vendos pritshmëri shumë të larta për romancë në ditët e zakonshme. Edhe duke qenë të ulur të dy në të njëjtin divan në vend të dy cepave të ndryshëm në dhomë, quhet si kohë cilësore bashkë. Një pikë e fortë është nëse divani nuk është shumë i madh dhe trupat tuaj në një farë mënyre preken.
  3. Nëse ke mundësi jeto afër familjes, sidomos familjes që s’ka shumë axhendë të zënë dhe mbështetu tek ata. Dadoja falas për më tepër është fantastike!
  4. Thënë kjo, mund të marrësh në punë një dado që e vlerëson dhe beson. Paguaje mirë.
  5. Dy fjalë dhe një frazë e rëndësishme, dilni natën.
  6. Kur dilni, mundohuni të flisni për gjëra të tjera përveç fëmijëve. Është e nevojshme të mos mbeteni në muhabete se sa të mirë janë, se duhet ta regjistroni në një kurs këtë vit. Thelbi është se duhet të mbani mend se jeni më shumë se thjesht prindër. Të flasësh për diçka tjetër përveç rritjes së fëmijëve është një mënyrë e mirë për ta bërë këtë gjë.
  7. Mos u ndje kurrë në faj se po i lë fëmijët para televizorit për: A. një dush të nxehtë; B. sepse po gatuan një drekë të shijshme dhe C. seks. Asnjë nga këto nuk zgjat aq shumë sa truri i tyre të dëmtohet nga televizori.
  8. Dilni edhe pa njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme edhe një e dalë me miqtë. Nuk mund të jeni miqtë vetëm të vetes kështu që gjeni edhe të tjerë. Të kesh një jetë jashtë familjes do të të bëjë një nënë dhe një grua më të mirë, një person më të mirë. Një klub librash, një darkë me miqtë apo dhe punë vullnetare.
  9. Fantazoni për të ardhmen bashkë. Për shtëpinë verore që doni të blini (që ndoshta s’do ta përballoni kurrë) ose udhëtimin në Itali që doni të bëni një ditë. Ndoshta kur fëmijët të jenë rritur mjaftueshëm dhe të jeni vetëm ju të dy.
  10. Mbaj pak mister për vete, tualetin përdoreni gjithnjë vetëm. Por është e vështirë dhe nëse dikush di të na thotë se si t’i mbajë fëmijët jashtë tualetit kur je vetë atje, na e thoni!
  11. Për çdo shtëpi/fëmijë/çështje që lidhet me financën, rekomandohet t’i dërgoni një email ose mesazh njëri-tjetrit dhe përdorni një mënyrë flirtuese kur shkruani. Shkëmbimi i mesazheve dhe komunikimi i shkruar është i rëndësishëm. Bëni shaka dhe qeshni me njëri-tjetrin, është e rëndësishme të kujtoni se pse keni rënë në dashuri me njëri-tjetrin dhe pse duheni akoma.
  12. Uluni bashkë për të ngrënë një ushqim të gatuar në shtëpi sa më shpesh të jetë e mundur dhe kjo nuk përfshin statuse në Facebook. Nuk keni pse të harxhoni para përherë për të “dalë” bashkë.
  13. Mos e lër kurrë veten shumë të uritur. E keni parasysh atë pakon me biskota ose ndonjë copë djathë që të duhet herë pas here? Prindërit kanë probleme me sheqerin e ulur herë pas here dhe është mirë të hash diçka. Nuk mund të thuhet se sa nga sherret që bëhen me partnerin përfundojnë me: “Më fal, isha thjesht e uritur”.
  14. Mundohuni të ziheni vetëm për gjënë që po ziheni dhe mos i përfshini gjithë budallallëqet e muajit në të njëjtin sherr. Nuk është produktive. Përveç kësaj, edhe fjala “më fal” ka fuqitë e saj magjike kështu që përdoreni. Keni pak kohë për të qenë bashkë me fëmijët e vegjël dhe ta shpenzosh duke u zënë nuk është aspak argëtuese.
  15. Ndonjëherë duhet të largohesh pa thënë atë që do të thuash vërtet. Të gjithë po përpiqen dhe prindërimi nuk është i thjeshtë dhe askush nuk është perfekt. As ti.
  16. Krijoni një rutinë për gjumin për fëmijët, kështu që një ditë ata ta respektojnë vetë atë gjë dhe të dinë t’i bëjnë vetë gjërat. E vetmja mënyrë për të pasur një marrëdhënie jashtë fëmijëve është nëse ata janë diku në një dhomë tjetër.
Facebook Comments
Loading...